BOTA
2 minuta leximi
Zyrtarët financiarë të G20 shprehin shqetësime për tarifat e Trumpit
Shefi i financave të Japonisë shpreh shqetësim për ndikimin e pasigurisë rreth tarifave amerikane mbi ekonominë dhe tregjet financiare, raporton Jiji Press
Zyrtarët financiarë të G20 shprehin shqetësime për tarifat e Trumpit
Zyrtarët financiarë të G20 shprehin shqetësime për tarifat e Trumpit / Reuters
18 Korrik 2025

Zyrtarë të lartë financiarë nga ekonomitë kryesore të G20 shprehën shqetësime për ndikimin e tarifave të larta të Presidentit amerikan Donald Trump mbi ekonominë globale gjatë një takimi në Afrikën e Jugut, raportoi të premten agjencia japoneze e lajmeve Jiji Press.

 Ministri japonez i Financave, Katsunobu Kato, u tha gazetarëve të enjten, në ditën e parë të një takimi dyditor të ministrave të financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të G-20, se ishte i shqetësuar për mënyrën sesi ekonomia dhe tregjet financiare do të preken nga pasiguria përreth tarifave amerikane.

Gjithashtu, Kato theksoi se tarifat nuk janë mjet i përshtatshëm për të zgjidhur disbalancat tregtare.

Në krah të sesionit të G-20, ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve më të industrializuara të G7 pritet të zhvillojnë një takim për të diskutuar një sërë çështjesh, përfshirë ndihmën për Ukrainën.

Tregtia globale dhe tregjet kanë qenë në pasiguri të madhe që kur Trump shpalli tarifat e tij "reciproke" në prill. Ai vendosi tarifa të përgjithshme nga 10 për qind deri në 50 për qind për shumicën e vendeve, duke i pezulluar më vonë për 90 ditë, përveç Kinës, më 9 prill.

Me Kinën, pas një përplasjeje të ndërsjellë tarifore, Uashingtoni arriti një marrëveshje tregtare pas një takimi në Londër muajin e kaluar, ku të dyja palët ranë dakord të tërheqin disa tarifa ndëshkuese, si dhe masa të tjera kufizuese.

Ndërkohë, shumë vende janë duke u përpjekur të negociojnë marrëveshje më të favorshme tregtare që përfshijnë norma më të ulëta tarifore sesa ato të shpallura në prill nga ShBA-ja.

Vendet me të cilat ShBA-ja shpalli marrëveshje tregtare përfshijnë Britaninë e Madhe, Vietnamin dhe Indonezinë.

Gjithashtu, presidenti amerikan ka dërguar letra në shumë vende për t’i informuar për normën e tarifës që do të paguajnë nga 1 gushti.

Ato përfshijnë vendet e BE-së dhe Meksikën me tarifë 30 për qind, Kanadanë me 35 për qind dhe Japoninë me 25 për qind.

Trump prezantoi gjithashtu tarifa të reja sektoriale, përfshirë një tarifë 25 për qind për të gjitha importet automobilistike në prill.

Ai gjithashtu shpalli tarifa 50 për qind për importet e bakrit, duke filluar më 1 gusht, dhe 200 për qjnd për produktet farmaceutike që hyjnë në ShBA.

 


Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us