RAJONI
3 minuta leximi
Vijon aksioni për shuarjen e zjarrit në Shqipëri, 24 vatra në 24 orë
Vatrat e zjarrit janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Vau i Dejës, Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Mallakastër, Fier, Selenicë, Finiq, Himarë, Kolonjë, Korçë, Përmet, Dimal, Elbasan, Peqin, Gramsh, Librazhd, Tiranë, Kavajë dhe Kamëz.
Vijon aksioni për shuarjen e zjarrit në Shqipëri, 24 vatra në 24 orë
Vijon aksioni për shuarjen e zjarrit në Shqipëri, 24 vatra në 24 orë / AA
18 Korrik 2025

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë dha detaje mbi situatën e zjarrëve gjatë orëve të fundit, duke raportuar 24 vatra zjarri, prej të cilave katër janë ende aktive dhe po mbahen nën monitorim të vazhdueshëm.

Vatrat e zjarrit janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Vau i Dejës, Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Mallakastër, Fier, Selenicë, Finiq, Himarë, Kolonjë, Korçë, Përmet, Dimal, Elbasan, Peqin, Gramsh, Librazhd, Tiranë, Kavajë dhe Kamëz.

Si pasojë e zjarreve të ditëve të fundit, janë djegur mbi 154 hektarë me shkurre dhe bimësi, si dhe më shumë se 3.000 rrënjë ullinj.

Për shuarjen e zjarreve janë angazhuar gjithsej 57 automjete zjarrfikëse dhe 538 forca operacionale. Gjatë ditës së djeshme, mbështetja ka ardhur edhe nga Forcat e Armatosura me 2 helikopterë, 5 automjete zjarrfikëse dhe 120 efektivë. Ndërkohë, sot që prej orës 06:00, në terren janë vendosur 50 trupa ushtarake dhe 5 automjete zjarrfikëse me personel mbështetës.

Vijojnë përpjekjet për izolimin e vatrave në qarkun Dibër, Vlorë dhe Fier. 

Në qarkun Dibër, në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, dy vatra nuk janë izoluar plotësisht: njëra në krahun e Gurë Lurës, dhe zona tjetër afër kanalit të ujit të HEC-it. Në krahun e Malit të Dejës, vatra është e përhapur nga era, duke u zgjeruar drejt territorit të bashkisë Mat.

Në zonën e “Malit të Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, vijon puna për shuarjen e një vatre të riaktivizuar. Deri tani janë përfshirë rreth 32 hektarë me shkurre dhe barishte. Zjarri është aktiv vetëm në një vatër mbi fshatin Vlash, që po monitorohet nga forcat operacionale.

Vatra e zjarrit në zonën Drenovë–Gorishovë, që përfshin njësitë administrative Qendër Dukas dhe Cakran në bashkitë Mallakastër dhe Fier, vijon të jetë aktive. Për shkak të terrenit të vështirë dhe erës së fortë, përhapja e flakëve ka qenë e shpejtë dhe ka vështirësuar ndërhyrjen. Zjarri është përqendruar veçanërisht në zonat me ullishte pranë fshatit Gorishovë, ku vazhdon me intensitet të lartë.

Në fshatin Borsh, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe pyjore. Ndërhyrja vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes, por pa mundur izolimin e plotë të vatrës. Operacioni për shuarjen po vijon edhe sot, me mbështetjen e forcave të Forcave të Armatosura.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme nuk parashikohen reshje atmosferike.

Rreziku për përhapjen e zjarreve në pyje mbetet i lartë në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera rreziku vlerësohet i nivelit të “moderuar”.

Strukturat e Mbrojtjes Civile shqiptare ndodhen në gatishmëri të plotë në të gjithë vendin për të ndërhyrë në kohë dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Ministria e Mbrojtjes u bën apel qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente nëse konstatojnë vatra zjarri.



BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us