Maqedonia e Veriut promovoi gjashtë obusë “Boran” të kalibrit 105 mm dhe pajisje të tjera përkatëse të blera si pjesë e modernizimit dhe pajisjes së ushtrisë, të siguruara nga Türkiye.
Në një ceremoni e cila u zhvillua në kazermën “Mirçe Acev” në Prilep, morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, ambasadori turk Fatih Ulusoy, drejtori i përgjithshëm i korporatës “Industria e Makinerisë dhe Kimisë (MKE)” Ilhami Keleş, drejtori i Zyrës së kompanisë “Aselsan” për Ballkanin, Doğan Coşkun, ministra, deputetë dhe përfaqësues të lartë të institucioneve turke dhe të vendit.
Kryeministri Mickoski, në fjalën e tij, tha se sot ndodhen para një hapi të rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se “po forcojmë kapacitetin tonë mbrojtës, po modernizojmë ushtrinë tonë dhe po tregojmë qartë se dimë të investojmë në mënyrë të përgjegjshme, strategjike dhe në interes të sigurisë së qytetarëve tanë”.
Ai tha se nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, janë zbatuar me sukses dy kontrata të rëndësishme për prokurimin e pajisjeve të reja moderne ushtarake në përputhje me standardet e NATO-s.
“Në kuadër të kontratës së parë, janë blerë dhe tashmë janë dorëzuar gjashtë obusë, sisteme të fuqishme artilerie që do të forcojnë kapacitetin e ushtrisë sonë. Së bashku me to, parashikohet edhe blerja e municioneve me rreze të rritur veprimi, dorëzimi dhe pagesa e të cilave janë planifikuar për vitin 2026”, tha Mickoski.
“Me kontratën e dytë, është siguruar blerja e pajisjeve për obusë, sisteme komunikimi dhe kontrolli zjarri, të cilat do të rrisin ndjeshëm fuqinë e zjarrit dhe precizitetin e veprimeve të njësive tona”, shtoi ai.
Misajllovski, nga ana tjetër, tha se kjo pajisje e re, e cila është pjesë e investimit të batalionit të artilerisë, bateria e artilerisë me gjashtë obusë “Boran”, ka një ndikim serioz në rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë dhe të aftësisë së saj për të garantuar sigurinë e Maqedonisë së Veriut dhe sigurinë e qytetarëve.
Duke shpjeguar se kjo pajisje prodhohet në Türkiye, në përputhje me standardet më të larta të NATO-s, Misajllovski tha: “Blerja e kësaj pajisjeje ushtarake përmes një marrëveshjeje qeveri-qeveri dërgon një mesazh të qartë se kemi besim të madh në cilësinë e lartë të produkteve të industrisë turke për qëllime ushtarake”.
Duke falënderuar Türkiyen, ministrin turk të Mbrojtjes dhe ambasadorin turk, veçanërisht në fushën e donacioneve, ai informoi se Türkiye ka dhuruar mbi 130 tenda, si dhe mbi 3.900 komplete uniformash luftarake, pushkë snajperi, çizme dhe automjete që pritet të mbërrijnë si donacion nga Türkiye.
“Partneri ynë strategjik, Republika e Türkiyes, riafirmoi mbështetjen e saj vetëmohuese, të sinqertë dhe vëllazërore”
Në fjalën e tij, ambasadori Ulusoy përcolli përshëndetjet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan tek pjesëmarrësit, duke thënë: “Türkiye gjithmonë ka qëndruar pranë Maqedonisë së Veriut dhe vëllezërve dhe motrave tona në këtë vend që nga pavarësia e saj”.
Duke kujtuar se Mickoski u prit nga presidenti Erdoğan në Stamboll në shkurt, Ulusoy theksoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë ngritur në nivelin e partneritetit strategjik me deklaratën e përbashkët politike mbi krijimin e një Këshilli Bashkëpunimi të Nivelit të Lartë, të nënshkruar gjatë kësaj vizite.
“Bashkëpunimi ynë në industrinë ushtarake dhe të mbrojtjes përbën një shtyllë të rëndësishme të marrëdhënieve tona dypalëshe. Prioriteti për Ballkanin në politikën e jashtme turke dhe rëndësia që i kushtojmë sigurisë dhe stabilitetit të këtij rajoni, të cilin nuk e ndajmë nga i yni, formojnë gjithashtu bazën e bashkëpunimit tonë ushtarak në platformat dypalëshe dhe shumëpalëshe”, tha Ulusoy.
Ambasadori Ulusoy deklaroi gjithashtu se do të vazhdojnë përpjekjet për të përmirësuar më tej marrëdhëniet midis Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut në çdo fushë.
Ndërkaq, gjeneralmajor Lafçiski tha se ky është një konfirmim i fortë i orientimit strategjik të Maqedonisë së Veriut, për modernizimin e ushtrisë në përputhje me standardet e NATO-s.
“Partneri ynë strategjik, Republika e Türkiyes, riafirmoi mbështetjen e saj vetëmohuese, të sinqertë dhe vëllazërore, me vendosmëri për të punuar së bashku, për të ndërtuar dhe forcuar partneritetin që na ka sjellë shumë përfitime gjatë viteve”, tha Lafçiski.
Duke deklaruar se Forcat e Armatosura Turke u bënë me këtë armë në vitin 2021, ai shtoi: “Vetëm në katër vjet, ajo është gjithashtu pjesë e ushtrisë sonë. Kjo na bën vendin e parë në Evropë që e zotëron atë”.
Gjeneralmajor Lafçiski, në emër të Atasheut Ushtarak të Republikës së Türkiyes, Reçay Yılmaz, ndau Medaljen e Ushtrisë për Partneritet, Koordinim dhe Bashkëpunim.