RAJONI
2 minuta leximi
Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi paraburgim për policin Bojan Jevtiq, i dyshuar për spiunazh
Gjykata, nëpërmjet një njoftimi për media, ka bërë të ditur se pas seancës dëgjimore ka vendosur për caktimin e masës së paraburgimit si masë adekuate për shkak se ekziston rreziku që i pandehuri të arratiset.
Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi paraburgim për policin Bojan Jevtiq, i dyshuar për spiunazh
Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi paraburgim për policin Bojan Jevtiq, i dyshuar për spiunazh / TRT Balkan
18 Korrik 2025

Gjykata Themelore në Prishtinë me kërkesë të Prokurorisë Speciale i ka caktuar një muaj paraburgim policit serb në Policinë e Kosovës, Bojan Jevtiq, për veprën penale të spiunazhit dhe armëmbajtjes pa leje. 

Gjykata, nëpërmjet një njoftimi për media, ka bërë të ditur se pas seancës dëgjimore ka vendosur për caktimin e masës së paraburgimit si masë adekuate për shkak se ekziston rreziku që i pandehuri të arratiset.

“Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes, mund t'i shmanget procedurës penale dhe se i njëjti do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë, duke qenë se dyshohet për vepër penale të një rrezikshmërie shumë të lartë përkatësisht për vepër penal spiunazhi, si dhe duke marrë për bazë faktin se cenon sigurinë kombëtare, jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Gjykata po ashtu vlerësoi se nëse i pandehuri lihet në liri, mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsërisë veprën e njëjtë penale ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda.

Jevtiq është arrestuar një ditë më parë, më 17 korrik, ku fillimisht ishte ndaluar për 48 orë.

Në Prokurorinë Speciale kanë bërë të ditur se pas aksionit të bastisjes nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Inspektorati Policor në shtëpinë e policit që ka punuar në pikën kufitare Dheu i Bardhë, janë gjetur dokumente të klasifikuara.

Jevtiq, i cili është pjesë e Policisë së Kosovës nga viti 2002, së fundmi e ka mbajtur pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikëkalimin kufitar me Serbinë.

Për arrestimin e Jevtiqit reagoi dje edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se Jevtiq është i arrestuari i gjashtë me radhë për rastet e spiunazhit në Kosovë.

“Njëri nga të dyshuarit tashmë e ka pranuar fajësinë, duke konfirmuar seriozitetin, profesionalizmin e institucioneve si dhe përfshirjen e Serbisë në përpjekjet destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës. Fatin e këtyre rasteve do ta ketë dhe kushdo tjetër që përpiqet ta minojë punën dhe rolin e besuar në polici”, shkroi Sveçla.

Ai shtoi se institucionet kosovare do të jenë të pakompromistë dhe vigjilentë përballë çdo përpjekje që nëpërmjet hapësirës që Kosova u jep në polici të kthehet në sulm ndaj republikës kosovare.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us