E vendosur në mes të qytetit të vjetër të Gjakovës, Xhamia e Hadumit, rri ende si kurorë e bukurisë së monumenteve të trashëgimisë arkitekturore në këtë qytet.
E nisur gjatë shekullit të 16-të në kohën e Perandorisë Osmane, Xhamia e Hadumit, ashtu sikurse shumë xhami, ishte ndër objektet e para në zonë, për t’u populluar më pas rreth saj shtëpitë, institucionet dhe tregtia.
Nga jashtë ajo ka një arkitekturë klasike, e ngjashme me xhamitë e kohës së saj, me kupolën e mbuluar me plumb, katër shtyllat në hyrje dhe një oborr mesatarisht të madh, krahas së cilit ndodhen varret me mbishkrime osmane dhe një bibliotekë.
Brendia e xhamisë, me bukurinë e vizatimeve në tavan dhe mure, foltoren drurore dhe sahatin e madh, të vjetra sa vetë xhamia që ende ndodhen aty, mesazhet shpresëdhënëse mbi dritaret e xhamisë dhe aroma e drunjve shekullorë, i fton vizitorët në një udhëtim në kohë.
Xhamia u ndërtua në vitin 1592 nga Hadum Sylejman Efendia i njohur si "Hadum Aga", i cili në kohën e tij shërbeu si shërbëtor personal i bashkëshortes së sulltanit. Në historinë e saj 430-vjeçare, është restauruar disa herë, dhe së fundmi në vitin 2004–2005, për shkak se gjatë luftës shumica e pjesëve të xhamisë u dogjën, ndërsa minarja u bombardua dhe u shemb mbi bibliotekë.
Xhamia ka disa karakteristika interesante, veçanërisht vizatimet e brendshme që mendohet se datojnë nga shekulli i 18-të, kur arti dhe zdrukthëtaria përjetuan zhvillim të madh në Gjakovë. Mbi dritaret e xhamisë janë të shkruara mirëseardhje për ata që do të hyjnë në xhenet, në formën e pjesëzave kuranore. Po ashtu, nëpër kornizat e xhamisë janë të përshkruara përmendjet (dhikri) që myslimanët bëjnë gjatë lutjeve. Një tjetër veçori është akustika, pasi xhamia nuk ka shtylla të brendshme gjithë konstrukti është mbajtur nga mure të trasha mbi një metër e gjysmë. Është ndërtuar nga guri vullkanik, plotësisht rezistent ndaj kushteve atmosferike dhe tërmeteve.
Kupola e mbuluar me plumb është e lartë 13,6 metra nga toka, ndërsa minarja arrin lartësinë rreth 37 metra. Në oborrin e xhamisë janë varrosur figura të njohura të kohës, si nga sfera religjioze, ashtu edhe nga ajo e pushtetit. Mendohet se dikur kanë ekzistuar mbi 300 varre, por sot numërohen rreth 100–150 varre apo epitafe të shkruara në gurë. Këto epitafe janë shkruar në gjuhën osmane, përzierje e arabishtes, persishtes dhe turqishtes së vjetër dhe shpesh përmbajnë poezi shpirtërore, duke përfshirë emrin, mbiemrin, vitin e lindjes dhe të vdekjes, si dhe një lutje për të ndjerin.
Xhamia e Hadumit vizitohet nga mbi 20 mijë vizitorë në vit, ndërsa numri është në rritje, veçanërisht nga vizitorët që vijnë nga Evropa.