POLITIKË
2 minuta leximi
Sofja dënon deklaratën e Putinit se Bullgaria dhe Rumania kanë kontribuar në luftën në Ukrainë
Edhe Rumania ka reaguar ndaj kësaj deklarate të Putinit, ndërsa në atë vend është në ndërtim një bazë e re ushtarake që do të jetë më e madhe se baza Ramstein në Gjermani.
Sofja dënon deklaratën e Putinit se Bullgaria dhe Rumania kanë kontribuar në luftën në Ukrainë
Sofja dënon deklaratën e Putinit se Bullgaria dhe Rumania kanë kontribuar në luftën në Ukrainë / AA
8 Maj 2025

Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë e dënoi të enjten deklaratën e presidentit rus Vladimir Putin se Rumania dhe Bullgaria kanë kontribuar në tensionet që çuan në luftën në Ukrainë duke lejuar vendosjen e bazave amerikane në territorin e tyre.

Putini e tha këtë në një dokumentar të titulluar “Rusia, Kremlini, Putini, 25 vjet”, raporton Euractiv.

“Përpjekjet e Federatës Ruse për të transferuar përgjegjësinë për fillimin e një lufte të paligjshme dhe të paprovokuar në Ukrainë te vende të tjera, përfshirë Bullgarinë, janë krejtësisht të papranueshme dhe përbëjnë një manipulim të rëndë të fakteve,” thuhet në deklaratën e Ministrisë bullgare të Punëve të Jashtme, të transmetuar nga Tanjug.

Në deklaratë thuhet se anëtarësimi i Bullgarisë në NATO ishte një vendim sovran, i bazuar në vullnetin e qytetarëve bullgarë dhe në procese demokratike legjitime.

“Kjo zgjedhje u udhëhoq nga dëshira e Bullgarisë për siguri të qëndrueshme, stabilitet dhe paqe në kontekstin rajonal. Forcimi i kapaciteteve të parandalimit nga vendet anëtare ka për qëllim mbrojtjen e territorit të aleatëve, nuk përbën kërcënim për asnjë vend tjetër dhe është plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet më tej në deklaratë.

Ministria bullgare theksoi gjithashtu se vendi mbetet fuqimisht i përkushtuar ndaj detyrimeve të tij si aleat në NATO dhe ndaj parimeve të Bashkimit Evropian.

Edhe Rumania ka reaguar ndaj deklaratës së Putinit, ndërkohë që në territorin e saj po ndërtohet një bazë tjetër e madhe ushtarake, e cila do të jetë më e madhe se baza Ramstein në Gjermani.

Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us