RAJONI
2 minuta leximi
Situata me zjarret në Shqipëri, neutralizohen 9 vatra në 5 bashki
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile në Shqipëri bëri të ditur se në 6 raste, zjarri ka përfshirë sipërfaqe me shkurre dhe barishte, duke shkaktuar djegien e rreth 0,5 hektarëve.
Situata me zjarret në Shqipëri, neutralizohen 9 vatra në 5 bashki
Situata me zjarret në Shqipëri, neutralizohen 9 vatra në 5 bashki / ATA
28 Qershor 2025

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile në Shqipëri bëri të ditur sot se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 9 vatra zjarri në pesë bashki: Tiranë, Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Berat.

Të gjitha vatrat janë neutralizuar me sukses, pa shkaktuar dëme në njerëz, banesa apo gjënë e gjallë.

AKMC-ja bëri të ditur se në 6 raste, zjarri ka përfshirë sipërfaqe me shkurre dhe barishte, duke shkaktuar djegien e rreth 0,5 hektarëve.

“Në 2 raste, zjarri ka rënë në banesa: një në lagjen nr. 5 të Bashkisë Kavajë dhe një në fshatin Ishull Shëngjin, ku janë shkaktuar dëme materiale. Në rastin e Ishull Shëngjinit, për shkak të një rrjedhjeje gazi, është lënduar një grua, e cila u transportua menjëherë në Spitalin e Traumës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në një rast tjetër, një automjet privat është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 9 forca operacionale dhe 64 automjete zjarrfikëse.

Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme nuk parashikohen reshje shiu.

Sa i përket rrezikut nga zjarret, pritet nivel rreziku “i lartë” në qarqet: Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjera parashikohet nivel rreziku “i moderuar ”.

I gjithë mekanizmi i Mbrojtjes Civile, si në nivel vendor ashtu edhe qendror, mbetet i angazhuar dhe në ndjekje të vazhdueshme të situatës.

AKMC-ja fton qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta dhe të raportojnë çdo rast pranë institucioneve përkatëse në kohë reale.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us