Politikë
3 minuta leximi
Qeveria e Shqipërisë miraton mbylljen e TikTok-ut për një vit
Vendimi vjen pas vrasjes nga një bashkëmoshatar i tij të një nxënësi 14-vjeçar në nëntor të vitit 2024 dhe pas rasteve të konflikteve mes të miturve që ekspozohen edhe onlajn.
Qeveria e Shqipërisë miraton mbylljen e TikTok-ut për një vit
Qeveria e Shqipërisë miraton mbylljen e TikTok-ut për një vit
4 orë më parë

Qeveria e Shqipërisë ka miratuar sot vendimin për mbylljen e aksesit në TikTok për 12 muaj.

Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Ogerta Manastirliu, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Shqipërisë tha se sot është miratuar projektvendimi "Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës TikTok".

Nisma në fjalë vjen pas vrasjes nga një bashkëmoshatar i tij të një nxënësi 14-vjeçar në nëntor të vitit 2024 dhe pas rasteve të konflikteve mes të miturve që ekspozohen edhe online.

"Qeveria ka marrë vendimin për mbylljen e përkohshme të platformës online TikTok. Ne kemi zhvilluar një sërë takimesh konsultative me prindër, rreth 65 mijë prindër të pyetur në mbi 1.300 takime për efektet që lidhen me sigurinë në mjedisin digjital dhe efektet negative që rrjetet sociale dhe platformat të cilat kanë përmbajtje të pakontrolluara, mund të sjellin në shëndetin psiko-emocional të fëmijëve. Në të gjitha këto takime, prindërit kanë qenë pro mbylljes ose kufizimit të platformës TikTok", tha Manastirliu.

Me këtë vendim, Qeveria shqiptare ka vendosur ndërprerjen e aksesit në TikTok në territorin e Shqipërisë për një periudhë 12-mujore, sipas ministrisë deri në momentin që kjo platformë të zbatojë standardet e sigurisë dhe moshës për përdoruesit e mitur.

"Është mbyllje e përkohshme e aksesit në platformën TikTok. Një mbyllje e përkohshme do të thotë që i kemi dhënë vetes 12 muaj kohë për të bërë të mundur që, në bashkërendim me përfaqësuesit e platformës së TikTok, të marrim të gjitha masat e nevojshme për t’i vendosur kushtet dhe kriteret e duhura në mënyrë që aksesi në TikTok të mos dëmtojë fëmijët dhe të rinjtë", ka theksuar Manastirliu.

Manastirliu ka shtuar se do të jetë Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e cila me entet përkatëse do të punojë dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore, që sipas saj mund të jetë disa ditë ose një javë e pak, do të mundet që të realizojë këtë ndërprerje të aksesit në platformën TikTok.

Gjithashtu në një njoftim nga ministria theksohet se autoritetet kompetente, në bashkëpunim me ofruesit e internetit dhe platformat teknologjike, do të marrin masat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi dhe vlerësimin e efektivitetit të tij në vazhdimësi.

Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë

Më 18 nëntor 2024, pas një konflikti mes disa të miturve pranë një shkolle në Tiranë mbeti i vrarë me thikë një nxënës 14-vjeçar dhe një tjetër u plagos.

Kjo ngjarje shkaktoi reagime të organizatave të shoqërisë civile, partive politike dhe prindërve, si dhe protesta në lidhje me sigurinë në shkolla dhe ambientet përreth tyre.

Nga ana tjetër, pas ngjarjes kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi nisjen e një konsultimi dhe këshillimi publik me komunitetet e prindërve në të gjitha shkollat e vendit, lidhur me bllokimin e plotë ose kufizimin e TikTok-ut.


Hidhni një vështrim në TRT Global. Ndani mendimin tuaj!
Contact us