Kryeministri i Maqedonisë së Veiut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se qëllimi strategjik i vendit të tij për të qenë pjesë e familjes evropiane ka qenë, është dhe do të mbetet objektivi strategjik.
Mickoski, së bashku me një delegacion qeveritar, që dje ndodhet në Hungari në kuadër të samitit midis qeverive të dy vendeve. Ai zhvilloi një takim ballë për ballë me homologun e tij hungarez, Viktor Orban, ndjekur nga seanca ndërqeveritare, pas çka dy kryeministrat folën për mediat.
Kryeministri Mickoski shprehu shpresën për zhbllokimin e negociatave në procesin e integrimeve evropiane të vendit me mbështetjen e Hungarisë.
“Shpresoj që më në fund të na zhbllokohet ky proces, me mbështetjen e Hungarisë miqësore dhe që edhe ne si vend të fillojmë negociatat”, tha Mickoski.
Ai shprehu bindje se nëse ekziston mundësia e fillimit të negociatave në bazë të kritereve “reale” të Kopenhagës, nëse përfundojnë me sukses shumë shpejt vendi i tij do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian (BE).
Ai njoftoi se është diskutuar edhe për mbështetjen e përgjithshme nga qeveria hungareze dhe ndër të tjera në seancën ndërqeveritare është diskutuar edhe për bashkëpunimin e ardhshëm edhe më të madh ndërshtetëror në fushën e infrastrukturës, si dhe për bashkëpunimin e mundshëm të ardhshëm ushtarak, gjegjësisht zhvillimin më të thellë të industrive ushtarake të të dyja vendeve.
Ai vlerësoi kryeministrin Orban për udhëheqjen e Hungarisë "në mënyrë të qëndrueshme dhe të përkushtuar nëpër ujëra shumë të trazuar dhe të pasigurt, duke luftuar gjithmonë për interesat e popullit të tij dhe vendit të tij".
Mickoski në fjalimin e tij foli edhe për luftën në Ukrainë, duke theksuar se Evropa duhet të marrë një rol më të madh në arritjen e paqes së qëndrueshme.
“Së bashku, le të inkurajojmë dhe mbështesim Evropën që të marrë një rol më aktiv në procesin e arritjes së paqes së qëndrueshme në Ukrainë përmes partneritetit dhe aleancës me ShBA-në, diçka nga e cila përfitojnë edhe miqtë ukrainasë, por edhe vetë Evropa”, tha Mickoski.
Në fjalën e tij, ai gjithashtu tha se qëllimi i vendit në raport me BE-në është i qartë, “një Maqedoni e fortë, stabile dhe e begatë në BE me progres ekonomik dhe standarde të larta për qytetarët tanë”. Ai shtoi se në këtë proces është e rëndësishme mbështetja nga vendet miqësore si Hungaria.
Samiti i dytë ndërqeveritar i dy vendeve filloi dje me takimin e shefave të diplomacisë së dy vendeve, Timço Mucunski dhe Peter Szijjarto.
Takimi i parë ndërqeveritar midis Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë u mbajt vitin e kaluar në Ohër.