RAJONI
2 minuta leximi
Kosovë, kërkohet angazhim më i madh i politikës në procesin e integrimit evropian
"Premtimet për integrim kanë mbetur shpesh vetëm në letër ndërsa qytetarët vazhdojnë të humbasin besimin e një të ardhme evropiane që u është premtuar", tha Demolli-Nimani.
Kosovë, kërkohet angazhim më i madh i politikës në procesin e integrimit evropian
Kosovë, kërkohet angazhim më i madh i politikës në procesin e integrimit evropian / AA
8 Maj 2025

Në Kosovë nëpërmjet një instalacioni të vendosur në lagjen "Arbëria", aty ku ndodhen shumica e ambasadave evropiane në Prishtinë, me rastin e Ditës së Evropës, është bërë thirrje për përkushtim më të lartë të politikës kosovare në procesin e integrimit evropian.

Me rastin e kësaj dite në Prishtinë u vendos një skulpturë mbi të cilën zinte vend mesazhi "From here to anywhere" (Nga këtu në kudo), me konceptin e një hulaje fëmijësh që sheh nga lart.

Organizatorët thanë se mesazhi i saj është lëvizja, bashkëjetesa dhe solidariteti – vlera thelbësore të projektit evropian.

Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli – Nimani, e cila bashkë me Institutin e Prishtinës për Studime Politike ishin organizatorë të këtij instalacioni, tha se ka mungesë të angazhimit të mjaftueshëm nga politika vendore dhe ndërkombëtare për ta bërë të prekshme perspektivën evropiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

"Premtimet për integrim kanë mbetur shpesh vetëm në letër ndërsa qytetarët vazhdojnë të humbasin besimin e një të ardhme evropiane që u është premtuar. Në këtë ditë simbolike, le të jetë kjo një thirrje për më shumë veprim e më pak retorikë, për një Evropë që nuk përjashton, por, përfshinë, për një Evropë që mban premtimet", tha ajo.

Demolli-Nimani tha se shoqëria civile kërkon nga politika kosovare përshpejtim të procesit të integrimit evropian përmes reformave të thella në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e lirive demokratike.

Skulptura fton qytetarët në reflektim dhe lojë, duke e kthyer lëvizjen në një akt simbolik të bashkimit përtej dallimeve.

Kosova konsiderohet ende vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor sa u përket hapave përpara drejt Bashkimit Evropian. Gjatë ditës së djeshme, deputetët e Parlamentit Evropian kanë miratuar një raport për Kosovën që inkurajon shtetin të bëjë reforma për të lëvizur drejt anëtarësimit në BE, por po ashtu kërkon që Prishtina dhe Beogradi të hapin një kapitull të ri në bisedimet për normalizim.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us