LeBron James, ylli i Los Angeles Lakers të Ligës Amerikane të Basketbollit (NBA), u bë basketbollisti i parë që kaloi shifrën e 50.000 pikëve në karrierën e tij në NBA, përfshirë sezonin e rregullt dhe fazat "play-off".
James, i cili mban rekordet për më shumë pikë të shënuara nga një basketbollist i NBA-së në sezonin e rregullt dhe në total (sezon i rregullt + play-off), la një tjetër moment historik në karrierën e tij të suksesshme në ligë, me fanellën e Los Angeles Lakers. Ai tashmë është në vitin e 22-të në NBA në ekipe të ndryshme.
Los Angeles Lakers zgjati serinë e fitoreve në shtatë ndeshje duke mposhtur New Orleans Pelicans me rezultat 136-115 ndërsa LeBron James me 34 pikë të shënuara në këtë ndeshje, hyri në histori duke kaluar shifrën prej 50 mijë pikëve në sezonin e rregullt dhe në "play-off".
LeBron James po krahasohet me Michael Jordan në debatet se kush është basketbollisti më i mirë në historinë e NBA-së ndërsa 40-vjeçari James vazhdon të përmirësojë rekordin e tij si basketbollisti me më shumë pikë të shënuara në NBA në sezonet e rregullta, të cilin e arriti në shkurt të vitit 2023.
Ai u zgjodh "All-Star" për herë të 21-të duke thyer rekorde në karrierën e tij si dhe duke kaluar shifrën prej 41 mijë pikëve në sezonin e rregullt.