Afati për regjistrimin në PER të shqiptarëve në diasporë ka përfunduar më 4 mars.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi shifrat e regjistrimit në Platformën e Regjistrit Elektronik të diasporës për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit.
Konkretisht, janë 294.155 mijë zgjedhës unikë që kanë bërë kërkesën për regjistrim, prej të cilëve iu është miratuar kërkesa vetëm 231.678 zgjedhësve.
KQZ-ja sqaroi se 41.961 zgjedhës nuk kanë mundur të regjistrohen, pasi kërkesa e tyre është refuzuar.
Pjesa më e madhe e kërkesave për regjistrim është bërë nga Italia, Greqia, Gjermania, ShBA-ja dhe Britania.
Nga shtetet me diasporën më të madhe, 148.178 kërkesa për regjistrim u bënë nga Italia, vetëm 86.431 janë miratuar; nga Greqia u regjistruan 103.421 zgjedhës prej të cilëve u miratuan 62.546; nga Gjermania 36.546 zgjedhës kërkuan të regjistrohen, por u miratuan 24.413 prej tyre.
4 marsi ishte afati përfundimtar për regjistrimin e shqiptarëve që jetojnë në diasporë.
Ndërkaq, Partia Demokratike jo pak herë ka kërkuar shtyrjen e këtij afati, por mazhoranca qeverisëse në Kuvend e ka hedhur poshtë kërkesën.