Rajoni
3 minuta leximi
Rijetësimi i figurës së Adem Jasharit nëpërmjet Inteligjencës Artificiale
Skenarin e filmit "Adem" i cili zgjat dy minuta e gjysmë, Fatmir Varaku e ka bërë i inspiruar nga historia e vërtetë e komandantit legjendar Adem Jashari dhe vëllait Hamëz Jashari ndërsa realizimi i mori rreth një vjet kohë.
Rijetësimi i figurës së Adem Jasharit nëpërmjet Inteligjencës Artificiale
Rijetësimi i figurës së Adem Jasharit nëpërmjet Inteligjencës Artificiale
5 Mars 2025

Figura e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, është vizualizuar falë punës kreative të Fatmir Varakut, kosovarit që ka bërë një film të shkurtër për të, duke kombinuar dizajnin tredimensional (3D) dhe Inteligjencën Artificiale (AI).

Pikërisht për nder të 27 vjetorit të rënies së familjes Jashari, manifestim i cili njihet si Epopeja e UÇK-së, dizajneri me prejardhje nga Gjakova, i frymëzuar nga këto ditë me rëndësi për historinë kosovare, vendosi rikthimin e heroit me një film të shkurtër, të parin që nga përfundimi i luftës për Adem Jasharin.

Duke folur për Anadolu, Varaku tregon se skenarin e filmit "Adem" i cili zgjat dy minuta e gjysmë, e ka bërë i inspiruar nga historia e vërtetë e komandantit legjendar Adem Jashari dhe vëllait Hamëz Jashari, ndërsa realizimi i mori rreth një vjet kohë, me punë jointensive.

"Kjo ka qenë një dëshirë e imja të sjell diçka me teknologjinë më moderne, 3D me AI të kombinuara, që të mund ta sjell një realizim sa më real, duke shpjeguar në pika të shkurta historinë me aq sa unë kam mundur", tha Varaku.

Ai theksoi se fillimi i këtij filmi tregon për Ademin e ri, i cili ka në dorë një lule ulliri, që simbolizon paqen, e që më pas në rini, bashkë me të vëllanë, dashuria për paqen u kthehet në dëshirë të luftës për liri.

"Secili hero e meriton një vizualizim të tillë"

Varaku tha se Inteligjenca Artificiale po përparon çdo javë dhe një gjë e tillë në vijim do të lehtësohet ende, por, thekson se ky film i ka marrë mjaft mund dhe kohë për ta realizuar me ndihmën e disa programeve dhe asistencën e Inteligjencës Artificiale.

"Dora ime (puna ime) është në gjithë filmin, ndërsa dora e AI është në pjesët sidomos ku ka lëvizje. Aty më ka ndihmuar shumë, ngase nëse në këtë rast nuk do të ishte AI do të duhej një ekip i tërë për ta punuar këtë film dy minuta e gjysmë, por, për shkak të AI kam pasur ndihmën dhe e kam realizuar vetëm për këtë kohë njëvjeçare", theksoi Varaku.

Dizajneri thotë se me të publikuar filmin "Ademi", të tjerë familjarë të heronjve të luftës së Kosovës e kanë kontaktuar atë, duke kërkuar që një projekt të ngjashëm ta punojë edhe për ta, por, thotë se momentalisht e ka të pamundur të merret me një gjë të tillë për shkak edhe të angazhimit me punën e tij ditore në sektorin e marketingut.

Por, ai thotë se është i gatshëm që të punojë nëse shteti kosovar do t'i ofronte një buxhet që të merret me rijetësimin e shumë figurave të rëndësishme historike, ngase sipas tij, "secili hero e meriton një vizualizim të tillë".

"Nëse ma mundëson shteti një buxhet, unë jam i gatshëm të sjellë edhe njëherë heronjtë e Kosovës të cilët dhanë jetën për liri. Kjo që kam bërë tani, është një film që e kam bërë me vetfinancim, prej dëshirës dhe të sjell diçka më ndryshe në Kosovë", thekson Varaku.

"Epopeja e UÇK-së" është një manifestim që tradicionalisht mbahet më 5, 6 dhe 7 mars, në kujtim të komandantit të UÇK-së, Adem Jashari dhe mbi 50 anëtarëve të familjes së tij të gjerë, të cilët u vranë në një sulm nga forcat speciale të policisë serbe në mars të vitit 1998.


Hidhni një vështrim në TRT Global. Ndani mendimin tuaj!
Contact us