Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, emëroi Prof. Dr. Xhura Macut si kandidat për kryeministër të Qeverisë së Serbisë, pasi Millosh Vuçeviq dha dorëheqje nga ajo pozitë në fund të janarit.
Macut është endokrinolog dhe profesor i njohur ndërkombëtarisht në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd, ku ka marrë diplomën bachelor, master dhe doktoraturë. Është specializuar në mjekësi riprodhuese dhe biologji në Universitetin e Gjenevës dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, specialiteti i tij është endokrinologjia.
I lindur në Beograd në vitin 1963, ai është shef i departamentit të tumoreve në Qendrën Klinike Universitare të Serbisë.
Vuçiq tha se është njeri i qetë dhe i përmbajtur, gjithmonë i disponueshëm për bisedë dhe shprehu besimin se do ta përfaqësojë mirë Qeverinë e Serbisë.
“Qeveria e re ka një punë të madhe, do të zgjidhet deri të Premten e Madhe (18 Prill). Ka detyra të vështira përpara”, tha Vuçiq, duke shtuar se këto janë çështjet rajonale, taksat e vendosura nga ShBA-ja, përshpejtimi i rrugës evropiane dhe njëkohësisht ruajtja e miqësive tradicionale në Lindje, ngritja e nivelit të investimeve të huaja dhe vendase.
"Dhe të vazhdojë të ruajë paqen dhe stabilitetin dhe të sillet me tolerancë dhe durim dhe të mos përdorë forcën deri në momentin e fundit, të bëjë punën e tij, dhe të mos fshihet në zyra dhe të presë që gjithçka të kalojë. Rekomandimi im për mandatarin është të zgjedhë njerëz që duan të luftojnë dhe ta çoj vendin përpara", tha Vuçiç, duke shtuar se ai dëshiron që Serbia të jetë "një nga tre vendet me rritje më të shpejtë në fund të vitit 2025".