Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.
Siç njofton Zyra e Presidentes, Osmani duke e vlerësuar rolin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe paqes, theksoi se stabiliteti në Kosovë është faktor kyç për sigurinë e të gjithë rajonit, ndaj angazhimi i përbashkët me KFOR-in dhe NATO-n mbetet thelbësor.
Presidentja Osmani po ashtu theksoi se Evropa po përballet me një situatë të ndërlikuar gjeopolitike, e cila kërkon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të përhershëm me aleatët e saj.
Në takim u diskutua gjithashtu për koordinimin e aktiviteteve në prag të vizitës në Kosovë të paralajmëruar të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke theksuar rëndësinë e kësaj vizite dhe rëndësinë e rolit të NATO-s për paqe dhe siguri në vendin tonë.
Sipas raportimeve, Rutte pritet ta vizitojë Kosovën më 11 mars për herë të parë që kur e mori këtë post.
Gjatë vizitës në Kosovë, Rutte pritet të jetë i shoqëruar edhe nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s që janë anëtarë të Këshillit të Atlantikut të Veriut.