Prodhuesi kryesues turk i dronëve Baykar Technologies dhe gjiganti i mbrojtjes Leonardo kanë nënshkruar marrëveshje partneriteti në teknologjitë pa pilot.
Marrëveshja u nënshkrua nga shefi ekzekutiv i kompanisë Leonardo, Roberto Cingolani dhe kreu i kompanisë Baykar, Selçuk Bayraktar dhe shefi ekzekutiv, Haluk Bayraktar. Ceremonia u zhvillua në selinë e kompanisë Leonardo në Romë.
"Ne kemi qenë në negociata intensive për muaj të tërë. Ne tashmë po punonim me Leonardon dhe ka sisteme që i kemi integruar", tha Selçuk.
"Ne tashmë ishim duke bashkëpunuar dhe kimia dhe sinergjia janë zhvilluar në një mënyrë magjepsëse në muajt e fundit”, shtoi ai. Duke theksuar se të dy kompanitë kanë veçori plotësuese, Selçuk tha se "Ne mund të bëjmë sistemet më të mira së bashku. I falënderojmë për bashkëpunimin, jemi shumë të lumtur që nisim këtë rrugëtim".
Cingolani, nga ana tjetër, tha se sot është një ditë shumë e rëndësishme pasi "po nënshkruajmë një memorandum mirëkuptimi me Baykar".
"Ne kemi identifikuar gurë themelin e rëndësishëm me kolegët tanë nga Baykar", tha ai. Duke theksuar se po kalojnë një periudhë komplekse, Cingolani tha se marrëveshja është produkt i punës së tyre intensive në pesë muajt e fundit.
"Ky është një rezultat i madh", tha Cingoloni duke theksuar se marrëveshja është pesëvjeçare, por parashikon një bashkëpunim më të thellë. Ai shtoi se i ka lënë shumë përshtypje vizita e tij në objektet e kompanisë Baykar në Istanbul, duke theksuar se Baykar ka një familje shumë të gjerë produktesh në UAV (mjete ajrore pa pilot).
Prodhimi do të kryhet në Türkiye dhe Itali nën partneritetin e dy kompanive. Baykar dhe Leonardo presin që tregu i mjeteve ajrore pa pilot në Evropë të arrijë në 100 miliardë dollarë në 10 vitet e ardhshme.
Baykar Technologies, prodhuesi i mjeteve ajrore luftarake pa pilot (UCAV) Bayraktar TB2 dhe Bayraktat Akıncı, ka zgjeruar rrjetin e tij të bashkëpunimit në Itali.
Në muajin dhjetor, kompania turke bleu gjigantin italian të hapësirës ajrore Piaggio.