Rajoni
2 minuta leximi
Kosovë, shënohet Dita Ndërkombëtare e Logopedisë
Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini, tha se shteti i Kosovës ka bërë lëvizje progresive sa i përket kujdesit ndaj personave me nevoja të veçanta, në veçanti atyre me probleme me të folur.
Kosovë, shënohet Dita Ndërkombëtare e Logopedisë
Kosovë, shënohet Dita Ndërkombëtare e Logopedisë
5 orë më parë

Zyra e Kryeministrit, në bashkëpunim me organizatën "Zë", si dhe në partneritet me Koalicionin e organizatave joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve, kanë shënuar nëpërmjet një konference Ditën Ndërkombëtare të Logopedisë.

Në konferencën e cila u mbajt në Qeverinë e Kosovës u mblodhën përfaqësues të institucioneve shtetërore, udhëheqës të organizatave që merren me mbrojtjen e fëmijëve, logopedë.

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini, tha se shteti i Kosovës ka bërë lëvizje progresive sa i përket kujdesit ndaj personave me nevoja të veçanta, në veçanti atyre me probleme me të folur.

Ai thotë se Qeveria ka proceduar për miratim strategjinë dhe planin e veprimit që ka të bëjë me këto kategori dhe mbulon një gamë të gjerë të çështjeve, përfshirë: edukimin, shëndetësinë, mirëqenien sociale, qasjen dhe specifika tjera të nevojshme.

"Nga dy logopedë që kemi pasur në institucionet publike shëndetësore, tani kemi një numër që është rritur në pesë. Nuk mund të themi që është e kënaqshme por shohim një lëvizje në këtë aspekt", theksoi Hajredini.

Themeluesi i organizatës "Zë", Lekë Gjurgjiali, tha se organizata e tij si përfaqësuese e Kosovës është anëtarësuar në ESLA duke u bërë organizata dhe shteti i parë anëtar në Ballkan.

Duke shpalosur disa të dhëna nga prezantimi i tij mbi terapinë e të folurit, Gjurgjiali tha se deri në vitin 2020 në Kosovë janë rreth 400 logopedë të diplomuar, por nga këta vetëm 27 ishin të liçencuar. Ai thotë se Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka ofruar në vazhdimësi pak shërbime logopedike.

"Në kuadër të QKUK-së, Klinikës së URL-së, janë ofruar vetëm 379 shërbime logopedike. Kjo pak a shumë përkthehet në atë aspekt që shteti i Kosovës i ka ofruar vetëm 379 shërbime logopedike. Ku në anën tjetër organizata 'Zë' e cila është organizatë e re dhe e vogël, gjatë të njëjtit vit ka ofruar dyfishin e këtyre shërbimeve", theksoi Gjurgjiali.

Nga viti 2004, 6 Marsi është përcaktuar si Dita Ndërkombëtare e Logopedisë. Synimi i kësaj dite është dhënia e informacionit dhe ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e terapisë logopedike.


Hidhni një vështrim në TRT Global. Ndani mendimin tuaj!
Contact us