RAJONI
2 minuta leximi
Spiropali: Bashkëpunimi parlamentar Shqipëri–Türkiye forcon partneritetin strategjik
Në ditën e dytë të vizitës, delegacioni nga Parlamenti turk u prit në takim nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në selinë e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë.
Spiropali: Bashkëpunimi parlamentar Shqipëri–Türkiye forcon partneritetin strategjik
Spiropali: Bashkëpunimi parlamentar Shqipëri–Türkiye forcon partneritetin strategjik / TRT Balkan
16 orë më parë

Delegacioni nga Komisioni për Punë të Jashtme në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Türkiyes (TBMM), kryesuar nga kryetari i këtij komisioni, Fuat Oktay, vazhdon vizitën në Shqipëri. 

Në ditën e dytë të vizitës, delegacioni nga Parlamenti turk u prit në takim nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në selinë e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë.

Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se në takimin e kryeparlamentares Spiropali me delegacionin turk ishin të pranishëm edhe anëtarët e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Türkiye në Kuvendin e Shqipërisë, Antoneta Dhima, Petro Koçi dhe Kreshnik Çollaku.

"Spiropali dhe Oktay diskutuan mbi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe intensiv parlamentar midis Kuvendit dhe Asamblesë së Madhe Kombëtare (të Türkiyes), mbështetjen e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Türkiyes, miqësisë dhe marrëdhënieve tradicionale mes njerëzve tanë, bashkëpunimin e gjithanshëm dypalësh, partneritetin në NATO, perspektivën euro-atlantike të Kosovës si edhe kontributin e dy vendeve tona për sigurinë dhe paqen në rajon e më gjerë", thuhet në njoftim.

Ndërkohë, në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin, Spiropali ka shkruar se bashkëpunimi i shkëlqyer parlamentar mes Shqipërisë dhe Türkiyes vijon të forcojë partneritetin strategjik mes dy vendeve dhe marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat.

"Si aleatë të NATO-s, vendet tona mbeten të angazhuara për paqen, sigurinë dhe zhvillimin, në rajonin tonë dhe më gjerë", ka shkruar Spiropali.

Gjithashtu, delegacioni turk u prit edhe nga kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, Mimi Kodheli dhe anëtarë të tjerë të këtij komisioni.

Delegacioni nga Parlamenti turk po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri në datat 29 qershor-1 korrik.

Pjesë e delegacionit të kryesuar nga ish-zëvendëspresidenti i Türkiyes, Oktay, janë edhe anëtarët Ahmet Fethan Baykoç, Oğuz Üçüncü, Tali̇h Özcan, İsmail Özdemir, Metin Ergun si dhe zyrtarë të tjerë.

Gjithashtu delegacioni turk do të takohet sot edhe me përfaqësuesit e zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri dhe stafin e Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), universiteti i Fondacionit Turk Maarif si dhe me biznesmenë turq që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri.

Ndërkohë, gjatë ditës së nesërme do të takohet me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us