Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum tha sot se ky është një moment përfundimtar për Meksikën dhe premtoi se vendi i saj nuk do t’u nënshtrohet interesave të ShBA-së përpara një lufte të mundshme tregtare me partnerin e saj më të madh tregtar.
Pasi ShBA-ja vendosi një tarifë 25 për qind mbi eksportet kanadeze dhe meksikane të martën, Meksika njoftoi masat e planifikuara hakmarrëse për të mbrojtur interesat e Meksikës.
“Ajo që mund t'ju them është se ky është një moment shumë përfundimtar për Meksikën, në varësi të asaj që do të ndodhë këto ditë deri të dielën. Nuk do të ketë nënshtrim. Meksika është një vend i mrekullueshëm dhe meksikanët janë të guximshëm dhe rezistues. Populli i Meksikës ka shumë forcë dhe ekonomia jonë po ecën mirë, por nuk do të ketë nënshtrim dhe nëse rrethanat vazhdojnë, ne do të shikojmë drejt Kanadasë dhe vendeve të tjera”, tha Sheinbaum.
Ajo tha se tarifat do të dëmtonin Meksikën, por shtoi se ato do të vinin me një çmim të jashtëzakonshëm për ekonominë amerikane dhe familjet amerikane në afat të shkurtër.
Sheinbaum tha gjithashtu se do të ketë një telefonatë me presidentin amerikan Donald Trump herët të enjten për t'i diskutuar tarifat, por ajo pohoi se nëse ShBA-ja vazhdon me planet për t'i vendosur tarifat, Meksika do të kërkojë alternativa të tjera, duke përfshirë partnerë të tjerë tregtarë.
“Përballë tarifave 25 për qind, nëse mbeten, ne gjithashtu duhet të marrim vendime, dhe ato janë vendime të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Ato nuk janë të vogla – janë vendime thelbësore sepse ne duhet ta mbrojmë sovranitetin, pavarësinë e Meksikës dhe nëse është e nevojshme, do të kërkojmë partnerë të tjerë tregtarë, të gjitha këto për të mbrojtur Meksikën dhe meksikanët”, tha ajo.
Sheinbaum njoftoi një tubim masiv në sheshin kryesor të Qytetit të Meksikos të dielën për të njoftuar masat dhe taksat që Meksika do të zbatojë për të kundërshtuar tarifat e ShBA-së.