Qeveria e Kosovës ka reaguar për vendimin e Gjykatës Supreme që shpall të paligjshëm një vendim të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, lidhur me arkat fiskale.
Përmes një njoftimi për media, Qeveria e Kosovës thotë se shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e saj ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme të Kosovës, me të cilin është shfuqizuar Udhëzimi Administrativ nr. 01/2025 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë. Sipas Qeverisë, vendimi i Gjykatës Supreme është vendim i brishtë.
"Vendimi i Gjykatës Supreme është i brishtë edhe në aspektin logjik dhe kushtetues, për faktin se vetë ai e njeh ekzistencën dhe funksionimin e Qeverisë në detyrë, por njëkohësisht e mohon të drejtën e saj për të ushtruar një kompetencë që nuk është e ndaluar me ligj. Kjo përbën një kontradiktë të qartë në arsyetimin e dhënë dhe cenon parimin e sigurisë juridike dhe funksionimit të vazhdueshëm të institucioneve të ekzekutivit", thuhet në reagim.
Tutje, thuhet se Qeveria në detyrë është e përkushtuar ndaj respektimit të rendit kushtetues dhe ligjor.
"Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të rendit kushtetues dhe ligjor, si dhe ndaj funksionimit të pandërprerë të institucioneve të shtetit. Vendimet e institucioneve të drejtësisë duhet të respektojnë frymën e ligjit dhe të jenë të mbështetura në standarde të qarta juridike, e jo në interpretime të njëanshme apo të motivuara politikisht", shkruhet ndër të tjerash.
Ndryshe, Gjykata Supreme e Kosovës ka deklaruar se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat e Qeverisë së Kosovës, të cilët njëherësh janë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.