RAJONI
2 minuta leximi
Gjykata Supreme e Kosovës: Qeveria në dorëheqje nuk mund të miratojë akte nënligjore të reja
Supremja e shpalli të paligjshëm dhe e shfuqizoi një udhëzim administrativ të nxjerrë nga ministri aktual në detyrë i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Gjykata Supreme e Kosovës: Qeveria në dorëheqje nuk mund të miratojë akte nënligjore të reja
Gjykata Supreme e Kosovës: Qeveria në dorëheqje nuk mund të miratojë akte nënligjore të reja / AA
16 Korrik 2025

Gjykata Supreme e Kosovës ka deklaruar se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat e Qeverisë së Kosovës, të cilët njëherësh janë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.

Gjykata e shpalli të paligjshëm dhe e shfuqizoi një udhëzim administrativ të nxjerrë nga ministri aktual në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Udhëzimi administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronike fiskalë, ishte publikuar në gazetën zyrtare më 16 prill, një ditë pasi ishte miratuar nga ministri në detyrë, i cili është gjithashtu i betuar si deputet i legjislaturës së re pas zgjedhjeve të shkurtit.

“Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”, tha gjykata.

Ajo tha se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve më 27 mars, ministri Murati figuron si deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Për pasojë, nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”, thuhet në vendim.

Ky vendim nxiti kundërshtim nga ana e qeverisë në detyrë, e cila udhëhiqet nga kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Qeveria në detyrë tha se ndihet e “shqetësuar” dhe se e kundërshton aktgjykimin e Gjykatës Supreme, duke e cilësuar atë si “të pabazuar në ligj” dhe “arbitrar”.

“Vendimi i Supremes është i brishtë logjikisht dhe kushtetueshëm: njeh qeverinë në detyrë, por mohon kompetencën e saj për të nxjerrë akte që nuk janë të ndaluara me ligj, duke krijuar një kontradiktë të qartë”, thuhet në reagimin e qeverisë.

Për vendimin që deputeti nuk mund ta ushtrojë funksionin e ministrit, qeveria pretendon se nuk mund të ketë konflikt funksional përderisa përbërja e re parlamentare nuk ka hyrë ende në funksion kushtetues.

Qeveria paralajmëroi përdorimin e mjeteve juridike për të kundërshtuar këtë vendim dhe për të “rikthyer ligjshmërinë dhe standardet demokratike”, duke theksuar përkushtimin e saj për respektimin e rendit kushtetues dhe funksionimin e pandërprerë të institucioneve.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us