Vetëm edhe një javë për skadimin e afatit të caktuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, është shënuar përpjekja e 49-të me radhë e dështuar.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ashtu sikurse nga 1 maji i vitit 2025, propozoi krijimin e komisionit ad-hoc për votimin e fshehtë të pozitës së Kryetarit të Kuvendit, por të gjitha grupet parlamentare, përpos Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin e tyre për këtë komision.
Nga deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 50 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.
"Për sot ndërpritet seanca, takohemi më 21 korrik 2025 në orën 11:00”, tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Të enjten, presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media tha se nëse edhe këtë fundjavë nuk ka zgjidhje për bllokadën e krijuar në procesin e konsitutimit të Kuvendit, në fillim të javës që vjen do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Osmani tha se afati i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet ose për mos respektim duhet të ketë pasoja juridike.
Opozita vazhdimisht ka kërkuar që LVV-ja ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, por kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.
Nga 61 vota të nevojshme, kandidatja e LVV-së, Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga LVV-ja dhe nëntë nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstitutive u mbajt më 15 prill.
Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nxori vendimin ku konstatoi që seanca konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë, pra deri më 26 korrik më së largu, por pa bërë të ditura pasojat e moszbatimit të këtij afati.