Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GjPAKKO) ka lënë në fuqi masën "arrest në burg" për ish-presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.
Në një njoftim nga GjPAKKO-ja thuhet se kjo gjykatë ka vendosur në seancën e sotme miratimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GjKKO) ndaj Metës.
Kujtojmë se më 26 qershor 2025, GjKKO-ja kishte lënë në fuqi masën "arrest në burg" për ish-presidentin Meta, vendim i cili ishte dërguar në apel.
Sipas gjykatës, kundër vendimit të sotëm lejohet ankim në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediat pas seancës, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, tha se i ka kërkuar gjykatës të caktonte një masë që e mendonte të arsyeshme, sipas tij qoftë edhe masën “arrest në shtëpi”
Ish-presidenti Meta është arrestuar më 21 tetor 2024, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me çështjen që është e njohur si "Kontrata e shërbimit CEZ-DIA" dhe për kontrata lobimi në ShBA".
Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Meta është i dyshuar për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.
Meta, i cili aktualisht është kryetar i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, ka mbajtur poste të larta në institucionet e shtetit shqiptar.