Grupi Hikmat al-Hajri, i cili po lufton kundër qeverisë siriane në provincën jugore të Suwayda, ka kërkuar hapjen e një korridori drejt territorit të pushtuar nga grupi terrorist PKK/YPG.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, grupi ka kërkuar një "rrugë të hapur" nga Suwayda drejt verilindjes së Sirisë, e cila aktualisht kontrollohet nga terroristët e PKK/YPG. Ata gjithashtu i kanë bërë thirrje mbretit të Jordanisë, Abdullah II, të hapë një pikëkalim kufitar mes Suwaydas dhe Jordanisë.
Organizata terroriste PKK/YPG, e cila operon në Siri nën emrin SDF, organizoi të mërkurën një protestë në qytetin Hasakah në mbështetje të grupeve që po përplasen me forcat e sigurisë në Suwayda.
Organizata është duke u përgatitur të dërgojë një ngarkesë drejt Suwayda-s nën maskën e “ndihmës humanitare”.
PKK/YPG u përplas gjithashtu me ushtrinë siriane në rajonin Dayr Hafir, në lindje të Aleppos, të mërkurën, dhe më pas dërgoi përforcime në zonë.
Përleshje në Suwayda dhe sulme izraelite
Më 13 korrik, në provincën jugore Suwayda shpërthyen përleshje të vogla mes fiseve arabe beduine dhe grupeve të armatosura druze.
Dhjetëra ushtarë u vranë në sulmet e grupeve druze kundër forcave siriane të sigurisë të dislokuara në zonë.
Pas përshkallëzimit të përleshjeve mes forcave të sigurisë dhe grupeve lokale të armatosura druze, u arrit një armëpushim mes palëve.
Por armëpushimi u thye pak më vonë, dhe ushtria izraelite ndërmori sulme ndaj forcave të sigurisë siriane.
Më 16 korrik, forcat ajrore izraelite goditën kompleksin presidencial sirian, shtabin e përgjithshëm dhe ministrinë e mbrojtjes.
Po atë ditë, u rivendos një armëpushim mes qeverisë dhe grupeve lokale në Suwayda, ndërkohë që avionët luftarakë izraelitë ndërmorën sulme në Damask dhe Daraa.
Që nga tërheqja e forcave të sigurisë nga Suwayda, vlerësohet se qindra njerëz kanë humbur jetën si pasojë e përleshjeve dhe sulmeve izraelite.