RAJONI
1 minuta leximi
Presidentja Osmani priti në takim ministren e Mbrojtjes së Luksemburgut
Osmani theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut si komponent thelbësor për forcimin e sigurisë rajonale dhe zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta.
Presidentja Osmani priti në takim ministren e Mbrojtjes së Luksemburgut
Presidentja Osmani priti në takim ministren e Mbrojtjes së Luksemburgut / TRT Balkan
3 Korrik 2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim në Prishtinë, ministren e Mbrojtjes të Dukatit të Madh të Luksemburgut, Yuriko Backes.

Siç njofton Zyra e Presidentes, Osmani gjatë takimit shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e Forcave të Armatosura të Luksemburgut në kuadër të misionit të KFOR-it, duke vlerësuar lart përkushtimin e këtij vendi në promovimin e paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin.

Po ashtu, presidentja kosovare ritheksoi mirënjohjen për mbështetjen e Luksemburgut ndaj Zyrës së Presidentes në përmbushjen e objektivave të përbashkëta strategjike.

Osmani theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut si komponent thelbësor për forcimin e sigurisë rajonale dhe zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta.

Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë strategjike të përkrahjes së mëtejshme nga Luksemburgu për procesin e anëtarësimit të Kosovës në institucionet euroatlantike dhe organizatat ndërkombëtare, duke theksuar vlerat e përbashkëta demokratike dhe rolin që luan Kosova "si një faktor i qëndrueshëm i stabilitetit në rajon".


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us