Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile e Shqipërisë njoftoi sot se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 19 vatra zjarri, nga të cilat 4 vatra janë ende aktive.
Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Mat, Rrogozhinë, Vorë, Tiranë, Vlorë, Kuçovë, Krujë, Librazhd, Përrenjas, Malësi e Madhe dhe Korçë.
Aktualisht mbeten aktive disa vatra.
Në qarkun Dibër, në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh.
Me gjithë punën e bërë nga forcat operacionale në terren, nuk është arritur të vihet nën kontroll zjarri, pasi ka pasur shtrirje të madhe të vatrës. Territori i thepisur dhe era kanë ndihmuar zhvillimin e zjarrit. Si pasojë është djegur një sipërfaqe rreth 150 ha. Sot forcave u janë bashkuar edhe 100 forca nga Forcat e Armatosura.
Është riaktivizuar vatra e zjarrit në vendin e quajtur “Mali i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, i zhvilluar në drejtim të “Majës së Vlashes”. Zjarri është zhvilluar në dy vatra ndihmuar nga temperaturat e larta dhe era.
Gjithashtu vijon operacioni për izolimin e vatrës në fshatin Arras, njësia administrative Arras, bashkia Dibër. Forcat po punojnë për të shmangur rrezikun për banesat, pasi era ndihmon përhapjen e flakëve drejt fshatit Shumbat të njësisë administrative Sllovë.
Në qarkun Fier, në fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, pati një riaktivizim të vatrës së zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra.
Gjatë natës, vatra e zjarrit ka përparuar në thellësi të masivit pyjor, duke marrë një shtrirje edhe më të gjerë. Sot ka filluar operacioni me 13 forca nga MZSH Mallakastër, 15 forca bashkiake dhe 30 forca nga FA.
Kryesisht zjarret janë regjistruar në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, ku si pasojë janë djegur më shumë se 292 hektarë sipërfaqe, mbi 1.000 rrënjë kumbulla, qershi e ullinj.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 36 automjete zjarrfikëse dhe 394 forca operacionale.
Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 130 efektivë dhe 1 helikopter.