Ushtria izraelite njoftoi të premten vonë se po fillon fazën fillestare të një fushate të shpallur së fundmi kundër Rripit të Gazës.
Ushtria tha se nisi fazën e parë të një ofensive të madhe në Gaza -- "Karrocat e Gideonit".
Kabineti i Sigurisë më 5 maj miratoi unanimisht një plan të ri, Karrocat e Gideonit, që Izraeli "ta pushtojë Gazën" dhe ta mbajë territorin nën kontrollin e tij.
Ushtria tha se në ditën e fundit ka "nisur sulme të gjera dhe ka mobilizuar forca për të kapur zona strategjike në Rripin e Gazës, si pjesë e lëvizjeve fillestare të Operacionit Karrocat e Gideonit dhe zgjerimit të fushatës në Gaza".
Deklarata pretendonte se fushata e re do t'i "arrijë të gjitha qëllimet e luftës në Gaza, duke përfshirë lirimin e pengjeve dhe mposhtjen e Hamasit".
Gjatë tri ditëve të fundit, të cilat përkuan me vizitën rajonale të Presidentit të ShBA-së Donald Trump që filloi të martën, Izraeli vrau më shumë se 370 palestinezë, një rritje e ndjeshme krahasuar me 78 të vrarë në tri ditët e mëparshme, sipas numërimit të Anadolu bazuar në të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës.
Ushtria izraelite ka ndjekur një ofensivë brutale kundër Gazës që nga 7 tetori 2023, duke vrarë më shumë se 53.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste nëntorin e kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.