Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama njoftoi sot përfshirjen e mundshme të Francës në projektin për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, në konferencën për media bashkë me Presidentin francez Emmanuel Macron, i cili po zhvillon vizitë zyrtare në Tiranë.
Rama informoi se në takim u fol mbi mundësinë e përfshirjes së Francës në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe në këtë drejtim do të shikohet më tutje në komunikime të drejtpërdrejta se si mund të materializohet përfshirja e Francës.
Kryeministri Rama vlerësoi se marrëdhënia e Shqipërisë me Francën ka hyrë në një fazë të re, me vizitën e dytë të kreut të shtetit francez në një kohë të shkurtër.
“Jemi thellësisht mirënjohës dhe sot e ndiejmë Francën shumë afër edhe në procesin e anëtarësimit në BE”, tha Rama.
Presidenti i Francës Macron, nga ana tjetër, tha se përmbyllja e negociatave me BE-në në 2027 është e arritshme. Franca, tha ai, do të jetë krah Shqipërisë për ta shoqëruar në këto reforma dhe për ta mbrojtur, në mënyrë që meritat e saj të njihen nga të gjithë dhe që agjenda të mbahet.
“Është Shqipëria në BE, ajo që është e rëndësishme. Dua të rishpreh këtu bindjen e plotë që kam për ribashkimin e Kontinentit Europian. Përballë sfidave të përbashkëta, Shqipëria ka treguar rrugën, ka bërë avancime të mëdha në kohët e fundit, ka hapur shumë blloqe kapitujsh të negociatave. Kam besim te ajo që do të bëni ju dhe jam i lumtur për mandatin shumë të qartë që keni pasur. Udha e Shqipërisë është shumë e qartë, drejt Bashkimit Europian”, tha Macron.
Në kuadër të vizitës, Shqipëria dhe Franca firmosën marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e energjisë, si dhe u nënshkrua Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për krijimin e një projekti gjithëpërfshirës për turizmin e qëndrueshëm në rajonin e Korçës.