LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Shtatë vende evropiane porosi Izraelit për Gazën: Ne nuk do të heshtim
Islanda, Luksemburgu, Spanja, Sllovenia, Malta, Spanja dhe Norvegjia paralajmëruan se shumë njerëz të tjerë mund të vdesin nga uria në ditët në vijim për shkak të bllokadës izraelite ndaj ndihmave humanitare për Gazën.
Shtatë vende evropiane porosi Izraelit për Gazën: Ne nuk do të heshtim
Shtatë vende evropiane porosi Izraelit për Gazën: Ne nuk do të heshtim / Reuters
17 Maj 2025

Shtatë vende evropiane kanë deklaruar se “nuk do të heshtin” në përgjigje të sulmeve izraelite në Rripin e Gazës.

“Ne nuk do të heshtim përpara katastrofës humanitare të shkaktuar nga njeriu që po ndodh para syve tanë në Gaza. Mbi 50 mijë burra, gra dhe fëmijë kanë humbur jetën e tyre”, thanë në një deklaratë Islanda, Luksemburgu, Spanja, Sllovenia, Malta, Spanja dhe Norvegjia.

Ata paralajmëruan se shumë njerëz të tjerë mund të vdesin nga uria në ditët në vijim për shkak të bllokadës izraelite ndaj ndihmave humanitare për Gazën.

“I bëjmë thirrje qeverisë së Izraelit që ta ndryshojë menjëherë politikën e saj aktuale, të përmbahet nga operacionet e mëtejshme ushtarake dhe ta heqë plotësisht bllokadën, duke siguruar shpërndarjen e sigurt, të shpejtë dhe të papenguar të ndihmave nga aktorët ndërkombëtarë humanitarë dhe sipas parimeve humanitare”, theksuan ata.

Shtatë vendet evropiane gjithashtu dënuan përshkallëzimin në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor nga Izraeli, duke përfshirë dhunën e paligjshme të kolonëve, zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme dhe intensifikimin e operacioneve ushtarake izraelite.

“Zhvendosja e detyruar ose dëbimi i popullit palestinez, me çdo mjet, është i papranueshëm dhe do të përbënte shkelje të ligjit ndërkombëtar. Ne refuzojmë çdo plan ose përpjekje të tillë për ndryshim demografik. Ne duhet ta marrim përgjegjësinë për ta ndalur këtë shkatërrim”, theksuan ata.

Grupi i rezistencës palestineze Hamas tha se mbi 250 palestinezë janë vrarë së fundmi pasi Izraeli miraton një politikë të “tokës së djegur” në Gaza.

Hamasi akuzoi Izraelin për kryerjen e “masakrave të tmerrshme” dhe fillimin e sulmeve të pamëshirshme në gjithë territorin e rrethuar.

Ushtria izraelite vazhdon me një ofensivë ushtarake në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 53 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Për luftën në enklavë, Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us