Partia më e madhe e opozitës, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), ka organizuar një protestë në Tiranë për të sensibilizuar, sipas saj, për “krimet elektorale" pasi nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve parlamentare.
Në protestën e organizuar në Bulevardin "Zogu i Parë" në kryeqytet morën pjesë qindra qytetarë, si dhe deputetë të opozitës.
Ish-kryeministri dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, në fjalën e tij në protestë u shpreh se "PD-ja dhe opozita ka aleatë të shumtë në betejën për votën e lirë".
"Zëri i shqiptarëve që luftojnë për votën e lirë, do dëgjohet dhe do ushtojë fuqishëm në Evropë dhe botë. Zgjedhjet në Shqipëri ishin farsa elektorale më e shëmtuar pas rënies së Perdes së Hekurt në Ballkan dhe Evropë", tha Berisha.
PD-ja pretendon se qeveria për zgjedhjet e 11 majit ka "diktuar procesin elektoral në mënyrë të organizuar dhe sistematike dhe ka përdorur një sërë metodash për të blerë vota”.
Zgjedhjet e 11 majit
Më 11 maj, në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ku u votua për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 mandate.
Sipas rezultateve paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duke u bazuar në 5.216 qendrat e numëruara brenda vendit nga gjithsej 5.225, Partia Socialiste (PS) në pushtet, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, është në avantazh me 52,14 për qind duke siguruar paraprakisht 83 mandate.
Koalicioni i drejtuar nga partia më e madhe opozitës, përkatësisht PD-ja dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore (ASHM), renditet i dyti me 34,27 për qind ose paraprakisht 50 mandate.
Partia Socialdemokrate, sa i përket numrit paraprak të mandateve, renditet e treta me 3,38 për qind për qind të votave ose 3 mandate.
Gjithashtu, mandate kanë siguruar edhe disa parti të tjera të reja, si Partia Mundësia dy mandate, Koalicioni "Nisma Shqipëria Bëhet" një mandat dhe Partia Lëvizja Bashkë një mandat.
Pjesëmarrja në zgjedhje, sipas të dhënave nga 3.037 qendra votimi të përpunuara, ishte 42,21 për qind.
Ndërkohë, procesi i numërimit të votave nga jashtë vazhdon.