Të paktën dhjetë palestinezë u vranë dhe të tjerë u plagosën, përfshirë fëmijë, në sulmet izraelite në Gaza të mërkurën, raportoi agjencia palestineze e lajmeve Wafa.
Katër palestinezë, përfshirë tre fëmijë, u vranë në një sulm ajror izraelit ndaj një tende për persona të zhvendosur në kampin e refugjatëve Nuseirat, në pjesën qendrore të Gazës.
Një civil tjetër u vra dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm tjetër izraelit që kishte në shënjestër ndërtesën al-Safa në kamp.
Dy palestinezë humbën jetën dhe disa u plagosën në një sulm ajror që goditi një shtëpi në lagjen Sabra, në jug të qytetit të Gazës.
Në Khan Younis, në enklavën jugore, një sulm ajror izraelit mbi tendat e personave të zhvendosur vrau dy persona dhe plagosi të tjerë pranë stacionit të benzinës Attar, në zonën al-Mawasi, në perëndim të qytetit.
Një fëmijë gjashtëvjeçar u vra dhe disa të tjerë u plagosën në bombardimin izraelit të tendave të zhvendosurve pranë stacionit të benzinës Tiberias, po në al-Mawasi.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, Izraeli ka ndërmarrë një ofensivë brutale në Gaza që nga fundi i tetorit 2023, duke vrarë gati 58.500 palestinezë: shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Bombardimi i pamëshirshëm ka shkatërruar enklavën dhe ka çuar në mungesë të ushqimit dhe përhapje të sëmundjeve.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkak të luftës në enklavë.