Bit Pazari në ritmin e Ramazanit
RAJONI
2 minuta leximi
Bit Pazari në ritmin e RamazanitMe një gamë të gjerë produktesh, si ushqime të freskëta, erëza tradicionale dhe ushqime të tjera që lidhen me Ramazanin, ky pazar është më shumë se një qendër tregtare, është një vend ku bashkohen kultura dhe traditat.
Bit Pazari në ritmin e Ramazanit. / TRT Balkan
11 Mars 2025

Pavarësisht numrit të madh të qendrave tregtare dhe mundësive të tjera për blerje, Bit Pazari në Shkup mbetet një referencë e rëndësishme dhe një pikë takimi jo vetëm për vendasit, por edhe për qytetarët e rajonit.

Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, Bit Pazari merr një dimension tjetër, duke u mbushur me vizitorë që vijnë për t'i blerë ushqimet dhe produktet tradicionale që lidhen me këtë periudhë.

Me një gamë të gjerë produktesh, si ushqime të freskëta, erëza tradicionale dhe ushqime të tjera që lidhen me Ramazanin, ky pazar është më shumë se një qendër tregtare, është një vend ku bashkohen kultura dhe traditat. 

Ndonëse jemi në muajin e agjërimit, si shitësit ashtu edhe blerësit kanë një energji dhe gjallëri të veçantë.

“Bit Pazari me sa e dimë ne ekziston qe 500 vjet historia e Bit Pazarit dhe sinqerisht kur vjen muaji i Ramazanit këtu ka një gjallëri jashtëzakonisht të madhe dhe ne si tregtarë e ndiejmë shumë mirë këtë”, shprehet kryetari i Shoqatës së Bit Pazarit, Xhevahir Hasani.

Siç tregojnë më tutje shitësit, gjatë muajit të ramazanit ndonëse popullata është e varfër, disi sikur shtohet bereqeti. 

“Përkundrazi, ramazani është më i bereqetshëm. Allahu jep bereqet, megjithatë popullata është e varfër dhe tentojnë për me ble. Disa kanë gjasa, kanë të holla, por shumica e njerëzve nuk i kanë kushtet”, rrëfehet shitësi.  

Atmosfera multikulturore

Ramazani ndër të tjerash shquhet edhe për nga multikulturalizmi i tij. 

“Gjatë kohës së ramazanit ndihet se ka më shumë pazar, më shumë njerëz, qarkullim. Vetë atmosfera është ndryshe para feste”, deklaroi një shitëse nga etniteti maqedonas e cila bashkëpunonte me shumë kënaqësi në mesin e kolegëve që kryesisht ishin shqiptarë dhe besimtarë myslimanë. 

“Kemi specialitete nga Türkiye, elhamdulilah këtë ramazan mirë është, kemi nga pak shitje dhe mushteri”, kështu shprehet një tjetër shitës që shërbente specialitete turke. 

Në Bit Pazar gjatë Ramazanit, çdo produkt duket më i rëndësishëm se tjetri. A dole për ca perime, përfundon me qese të stërmbushura, pasi që jo më kot thonë “çdo frut është më i shijshëm kur je i uritur”. 


BURIMI:TRT Balkan AL
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us