RAJONI
2 minuta leximi
Kosovë, shënohet Dita Botërore e Refugjatëve
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, tha se përvoja e Kosovës si refugjatë, nuk është vetëm një kujtim i hidhur, por edhe pjesë e identitetit kolektiv.
Kosovë, shënohet Dita Botërore e Refugjatëve
Kosovë, shënohet Dita Botërore e Refugjatëve / AA
20 Qershor 2025

Në Kosovë është shënuar 20 qershori, Dita Botërore e Refugjatëve, për t'u solidarizuar me këtë kategori në Kosovë dhe gjithë botën.

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, kjo ditë u shënua me një organizim nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në bashkëpunim me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Zyra në Prishtinë.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, tha se përvoja e Kosovës si refugjatë, nuk është vetëm një kujtim i hidhur, por edhe pjesë e identitetit kolektiv, si dhe përvojë "që na bënë edhe më të ndjeshëm dhe më të përgjegjshëm".

"Fatkeqësisht edhe sot, miliona njerëz vazhdojnë të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftërave dhe konflikteve, dhunës dhe persekutimeve që po ndodhë në vatrat e krizës. Dhe kjo na kujton se puna jonë nuk ka përfunduar. Sepse, çdo refugjat nuk kërkon mëshirë, kërkon të dëgjohet, të pranohet dhe të mbrohet", theksoi ajo.

Avokati i Popullit në Kosovë, Naim Qelaj, tha se zyra e Avokatit të Popullit, në vazhdimësi monitoron qendrat e ndalimit në pikat kufitare dhe në qendrat e refugjatëve.

"Edhe pse një numër i vogël i refugjatëve sot qëndrojnë në Kosovë ose kalojnë përmes Kosovës, megjithatë konsideroj që kemi treguar shembull të mirë të trajtimit me dinjitet, me respekt, duke ua garantuar të drejtat minimale që duhet t'i gëzojë secili person i cili ndodhet në Kosovë si refugjatë, azilkërkues ose pa dokumente dhe në forma tjera të kalimit nëpër Kosovë", theksoi Qelaj.

Sipas tij, institucionet kosovare kanë treguar gatishmëri që për secilin person që ndodhet në Kosovë si refugjatë t’ua garantojë respektimin e të drejtave të tyre.

Dita Botërore e Refugjatëve shënohet çdo vit më 20 qershor, dhe është vendosur nga OKB-ja për të nderuar forcën, guximin dhe qëndresën e miliona njerëzve që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës, dhunës, përndjekjes apo katastrofave natyrore.

Sipas UNHCR-së deri në fund të vitit 2024, mbi 117 milionë njerëz në mbarë botën ishin të zhvendosur me forcë.

Në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, rreth 800 mijë shqiptarë të Kosovës u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre ku shumica u strehuan në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, por edhe në vende perëndimore si Gjermania, Zvicra, ShBA, Kanadaja.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us