Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, do të jetë për tre ditë me radhë edhe kryeqendra e ngjarjeve të pingpongut, për shkak të turneut ndërkombëtar që do të zhvillohet më 20, 21 dhe 22 qershor "Prishtina Open Table Tennis International Tournament 2025".
Turneu Ndërkombëtar i Pingpongut "Prishtina Open 2025", do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, në qendër të kryeqytetit.
Organizator i kësaj ngjarje është Klubi i Pingpongut "Priping", me ç'rast drejtori i "Priping", Kastriot Orana, një ditë para fillimit të garave, tha se gjatë këtyre ditëve, konkurrenca pritet të jetë mjaft e fortë.
"Gjithsej janë 275 lojtarë nga 25 shtete të botës, duke filluar nga rajoni, e deri tek Kolumbia e Brazili, Irani e Egjipti dhe nga vende të ndryshme evropiane si Bullgaria, Gjermania, Türkiye, Franca dhe vende tjera", theksoi Orana.
Ai tha se më së shumti pjesëmarrës ka nga Ballkani, duke marrë parasysh që turneu zhvillohet më afër.
Turneu treditor i pingpongut nis nga e premtja në orën 10:00 dhe do të fillojë me kategorinë U19 ndërsa në mbrëmje me kategorinë e veteranëve.
Ditën e shtunë, fillojnë U13, për të vazhduar pasdite me grupet e seniorëve, si kategoria kryesore.
Ndërsa të dielën do të luajnë U11 dhe pasdite mbahet faza eliminuese e seniorëve, ku nga ora 19:00 do të mbahet finalja e kësaj gare.