Mediat iraniane raportuan se objektivi kryesor në valën e 14-të të kundërsulmeve ndaj Izraelit kanë qenë komanda e Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF) dhe e inteligjencës (IDF C4i) pranë spitalit si dhe një kamp i inteligjencës ushtarake në parkun teknologjik Gav-Yam.
Sipas lajmit të publikuar nga Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve "Tasnim" e afërt me Korpusin e Gardës Revolucionare Iraniane, në kundërsulmin e Iranit mëngjesin e sotëm u shënjestruan komanda dhe selia e inteligjencës së ushtrisë izraelite.
Në lajm bëhet e ditur se në mediat izraelite vendi në fjalë po përpiqet të tregohet si "spital" dhe vihet në dukje se vendi i shënjestruar ishte selia e komandës dhe inteligjencës së Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF C4i) pranë spitalit dhe një kamp inteligjence ushtarake në parkun teknologjik Gav-Yam.
Po ashtu në lajm pretendohet se në strukturat e goditura ndodhen mijëra forca ushtarake të ushtrisë izraelite, sisteme komande dixhitale dhe sisteme operacionesh kibernetike.
- Konflikti që filloi me sulmet e dhunshme të Izraelit ndaj Iranit
Më 13 qershor, Izraeli kreu sulme në shkallë të gjerë duke shënjestruar objektet bërthamore në qytete të ndryshme në Iran, përfshirë edhe nivelin e lartë komandues të ushtrisë.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm iranian, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare, disa komandantë të lartë dhe 9 shkencëtarë bërthamorë humbën jetën në sulme ndërsa numri i përgjithshëm i civilëve të vrarë u rrit në 224.
Më tej u transmetua se 24 persona u vranë dhe mbi 500 të tjerë u plagosën në kundërsulmet e ushtrisë iraniane me raketa balistike ndaj Izraelit.
Shumë vende veçanërisht Türkiye, e dënuan Izraelin.