Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali vlerësoi sot rolin e NATO-s si një gurthemel i sigurisë transatlantike dhe vlerave të demokracisë dhe mbrojtjes së përbashkët.
Spiropali iu drejtua sot me një fjalë Samitit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, zhvilluar në Parlamentin e Belgjikës, në Bruksel, në prag të Samitit të NATO-s, ndërsa shprehu vendosmërinë dhe kontributin e Shqipërisë në këtë aleancë, Spiropali theksoi se nuk duhet të qëndrojmë pasivë ndaj trazirave të mëdha politike që po ndodhin.
“NATO mbetet gurthemeli i sigurisë tonë transatlantike dhe një dëshmi e gjallë e fuqisë së vlerave të përbashkëta: demokracisë, sundimit të ligjit, lirisë individuale dhe mbrojtjes së përbashkët. Shqipëria është krenare që qëndron e vendosur në këtë Aleancë, jo vetëm si anëtare, por si një kontribuese e angazhuar ndaj vizionit dhe misionit të saj”, tha ajo.
Në një epokë ndryshimesh të shpejta dhe kërcënimesh të vazhdueshme, Spiropali nënvizoi se “NATO duhet të mbetet jo vetëm relevante, por e domosdoshme”.
“Shqipëria është e gatshme të japë kontributin e saj, me vendosmëri, me përgjegjësi dhe me respekt për vlerat që na bashkojnë. Në këtë frymë dhe me këtë vendosmëri, jemi të lumtur dhe të nderuar të mikpresim në Tiranë, mbas dy vitesh, në vitin 2027, samitin e parë të NATO-s në rajonin tonë. Ky vendim jo vetëm tregon angazhimin tonë ndaj stabilitetit, unitetit dhe bashkëpunimit rajonal, por edhe shpjegon rëndësinë strategjike të angazhimit të qëndrueshëm të NATO-s në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ajo.
Duke u ndalur te lufta në Ukrainë, Spiropali u shpreh se “lufta e paprovokuar dhe e paligjshme e agresionit që Rusia ka ndërmarrë kundër Ukrainës vijon të minojë vetë themelet e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”.
Ndërkohë përshkallëzimi ushtarak së fundmi midis Iranit dhe Izraelit, sipas Spiropalit, “vetëm e rëndon më shumë një botë të bazuar në rregulla, që tashmë është nën trysni të madhe”.
“Shqipëria i bën thirrje Iranit të ndërpresë aktivitetet e tij bërthamore dhe të raketave balistike dhe të veprojë në përputhje me detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar, përfshirë Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore”, tha ajo.
Një botë që po del jashtë kontrollit, sipas saj, “kërkon që ne të jemi shumë vigjilentë në të gjitha frontet, përfshi rajonin tonë”.
“Në Ballkanin Perëndimor ndikimet keqdashëse vazhdojnë përpjekjet e tyre për të destabilizuar institucionet demokratike, të nxisin ndasitë dhe të minojnë aspiratat euro-atlantike. Shqipëria beson fort se siguria e Ballkanit Perëndimor është e pandashme nga siguria e Evropës dhe e gjithë hapësirës më të gjerë të NATO-s. I bëjmë thirrje aleatëve dhe partnerëve tanë të kenë një angazhim të fuqishëm, politik dhe ushtarak, në rajonin tonë, Shqipëria, që me anëtarësimin e saj në vitin 2009, e ka treguar vazhdimisht angazhimin e saj ndaj Aleancës dhe përkushtimin e palëkundur ndaj sigurisë së përbashkët, përmes kontributeve politike, operacionale dhe financiare”, vijoi Spiropali.