Më shumë se 700 palestinezë, shumica prej tyre fëmijë, janë vrarë nga zjarri izraelit që nga tetori 2023 ndërsa përpiqeshin të merrnin ujë, njoftuan të hënën autoritetet lokale në Rripin e Gazës.
“Okupimi izraelit vazhdon në mënyrë sistematike dhe të qëllimshme luftën e etjes kundër popullit palestinez në Gaza, në shkelje të qartë të të gjitha konventave ndërkombëtare dhe humanitare,” thuhet në deklaratën e Zyrës së Medias së Qeverisë në Gaza.
Zyra akuzoi forcat izraelite se po përdorin ujin si armë lufte, me synimin për t’i privuar palestinezët nga të drejtat më themelore të njeriut.
Sipas të dhënave, ushtria izraelite ka kryer 112 masakra ndaj banorëve të Gazës që përpiqeshin të siguronin ujë, duke vrarë mbi 700 persona, kryesisht fëmijë.
Të dielën, në kampin e refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore të Gazës, zjarri izraelit vrau të paktën 12 persona, përfshirë tetë fëmijë, ndërsa prisnin në radhë për ujë.
Gjithashtu, thuhet se ushtria izraelite ka shkatërruar me qëllim mbi 720 puse uji, duke lënë më shumë se 1,25 milion palestinezë pa qasje në ujë të pijshëm.
Forcat izraelite, thuhet më tej, po bllokojnë hyrjen e 12 milionë litrave karburant në muaj – sasi minimale e nevojshme për funksionimin e puseve, impianteve të kanalizimeve, sistemit të mbledhjes së mbeturinave dhe infrastrukturave të tjera kyçe në Gaza.
“Kjo ka sjellë paralizimin e plotë të sistemeve të ujit dhe kanalizimeve, si dhe përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, veçanërisht te fëmijët,” thuhet në deklaratë.
Zyra e medias në Gaza u ka bërë thirrje organizatave ndërkombëtare dhe atyre për të drejtat e njeriut që të veprojnë menjëherë për ta ndalur përdorimin sistematik dhe të qëllimshëm të ujit si armë lufte, si dhe të mundësojnë furnizimin me karburant dhe pajisje të nevojshme për rikthimin në funksion të impianteve të ujit dhe kanalizimit.
Izraeli i ka mbajtur të mbyllura kalimet kufitare të Gazës për ushqime, ilaçe dhe ndihma humanitare që nga 2 marsi, duke përkeqësuar më tej katastrofën humanitare ku jetojnë 2,4 milionë banorë të Gazës. Kjo bllokadë ka çuar në uri dhe shumë vdekje nga kequshqyerja.
Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka nisur një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, gjatë së cilës janë vrarë mbi 58.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Bombardimet intensive kanë shkatërruar infrastrukturën e enklavës dhe kanë shkaktuar mungesë ushqimi dhe përhapje sëmundjesh.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu po përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.