RAJONI
2 minuta leximi
Nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës, as pas përpjekjes së 47-të
Nga 105 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 51 vota ishin pro formimit të komisionit për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.
Nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës, as pas përpjekjes së 47-të
Nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës, as pas përpjekjes së 47-të / AA
15 Korrik 2025

Kuvendi i Kosovës ka shënuar edhe një dështim, të 47-tin me radhë në përpjekje për konstituim, në mungesë të votave të mjaftueshme për të proceduar përpara deri në emërimin e kryetarit të ri të këtij institucioni legjislativ, raporton Anadolu.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ashtu sikurse nga 1 maji 2025, propozoi krijimin e Komisionit “ad-hoc” për votimin e fshehtë të pozitës së Kryetarit të Kuvendit, por, të gjitha grupet parlamentare, përpos Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.

Nga 105 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 51 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.

"Për sot ndërpritet seanca, shihemi më 17 korrik 2025 në ora 11:00", tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Më 28 qershor u zhvillua një takim midis krerëve të partive parlamentare, me qëllim të gjetjes së një konsensusi politik për formimin e institucioneve të reja, por, pa rezultate konkrete. Gjithashtu edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim këtë muaj krerët e partive parlamentare, me qëllim të gjetjes së një zgjidhje për hapjen rrugë të formimit të institucioneve të reja.

Pas takimeve me presidenten, krerët e partive Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thanë se barra për formimin e institucioneve i takon partisë së parë, LVV, dhe kreut të saj Albin Kurti.

Nga opozita vazhdimisht kanë kërkuar që LVV ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, por, nga deklarimet e tij, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e LVV-së, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, nxori vendimin ku konstatoi që seanca konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë, pra deri më 26 korrik më së largu.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us