RAJONI
2 minuta leximi
Si mund të votojë diaspora në zgjedhjet lokale të Kosovës më 12 tetor?
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se të gjithë ata që jetojnë jashtë vendit nuk janë të kufizuar vetëm në votimin për Kuvendin – ata mund të marrin pjesë edhe në Zgjedhjet Lokale, si për Kryetarë të Komunave ashtu edhe për Kuvendet Komunale.
Si mund të votojë diaspora në zgjedhjet lokale të Kosovës më 12 tetor?
Si mund të votojë diaspora në zgjedhjet lokale të Kosovës më 12 tetor? / AA
19 Qershor 2025

Për dallim nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në të cilat qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit kanë pasur mundësi të votojnë edhe në përfaqësitë diplomatike, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit kjo mundësi nuk do të ekzistojë më. Sepse sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të gjithë ata që jetojnë jashtë vendit tashmë mund të votojnë për zgjedhjet për kryetar komune vetëm përmes postës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një deklaratë për KosovaPress tha se të gjithë ata që jetojnë jashtë vendit nuk janë të kufizuar vetëm në votimin për Kuvendin – ata mund të marrin pjesë edhe në Zgjedhjet Lokale, si për Kryetarë të Komunave ashtu edhe për Kuvendet Komunale.

Mirëpo, sipas Elezit, për ta realizuar këtë të drejtë, duhet patjetër të aplikojnë dhe të regjistrohen me sukses për votim jashtë Kosovës.

“Ndryshe nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në Zgjedhjet Lokale, votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës, pasi që Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme specifikon se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj zgjedhjesh”, theksoi Elezi.

Ndër të tjera Elezi shtoi se përflitet se sipas Rregullores së re, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kujdeset që të gjithë shtetasve të Kosovës që regjistrohen me sukses për të votuar nga jashtë vendit, t’u dërgohen përmes postës fletëvotimi dhe materialet e tjera zgjedhore të nevojshme për votim.

“Kjo masë, konsiderojmë se do të ndikojë në integritetin e këtij procesi. Ndërkaq, votuesve u mbetet që pakon me fletëvotim ta dërgojnë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së që hapen në shtete të ndryshme të botës dhe në Kosovë", tha Elezi.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën 12 tetor 2025 mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale në Kosovë.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us