TÜRKİYE
3 minuta leximi
Ambasada e Türkiyes në Shkup organizon ceremoni përkujtimore për 15 Korrikun
Në ceremoninë e mbajtur në rezidencën e Ambasadës turke në Shkup, morën pjesë zyrtarë të lartë të Maqedonisë së Veriut, përfaqësues të institucioneve turke, ministra, deputetë, kryetarë komunash dhe zyrtarë të tjerë.
Ambasada e Türkiyes në Shkup organizon ceremoni përkujtimore për 15 Korrikun
Ambasada e Türkiyes në Shkup organizon ceremoni përkujtimore për 15 Korrikun / AA
15 Korrik 2025

Në Shkup në organizim të ambasadës turke është mbajtur ceremoni përkujtimore për përvjetorin e nëntë të tentativës për grusht shteti në Türkiye, tentativë e ndërmarrë nga organizata terroriste FETO, që shënohet si Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar.

Programi nisi me një minutë heshtje dhe intonimin e himnit kombëtar turk.

Në fjalën e tij, Ambasadori  Fatih Ulusoy ua kujtoi të pranishmëve se kanë kaluar nëntë vjet që nga përpjekja e pabesë për grusht shteti e organizatës terroriste FETO dhe tha se janë mbledhur për të përkujtuar dëshmorët dhe luftën heroike të kombit turk për demokraci.

Ulusoy vuri në dukje se përpjekja për grusht shteti e 15 korrikut u pengua nën udhëheqjen e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe qëndrimin e vendosur të popullit turk, duke shtuar: "15 Korriku është fitorja e kombit".

Ambasadori turk theksoi se organizata e errët, e cila shfrytëzon të gjitha vlerat universale për agjendat e saj të fshehta, përbën një kërcënim të madh për sigurinë kombëtare e të gjitha vendeve dhe shoqërive në të cilat vepron. "Një pjesë e madhe e strukturave të FETO-s në vendet mike dhe aleate janë ndërprerë falë bashkëpunimit ndërkombëtar të kryer nga shteti ynë. Herët a vonë, kjo organizatë terroriste dhe kriminale do të shpërbëhet plotësisht. Kur kjo të ndodhë, anëtarët e organizatës që banojnë në disa vende të treta do të bëhen barrë për këto vende", tha ai.

Ulusoy vuri në dukje se ata po vazhdojnë me vendosmëri përpjekjet e tyre për të mbyllur institucionet arsimore të lidhura me FETO-n jashtë vendit dhe për t'i transferuar ato në Fondacionin Turk Maarif (TMV), dhe kujtoi se si rezultat pozitiv i këtyre përpjekjeve, aktivitetet e shkollave të FETO-s janë ndërprerë në shumë vende mike dhe vëllazërore.

Duke vënë në dukje se Fondacioni Turk Maarif ka marrë përsipër më shumë se 200 shkolla në shumë vende, Ulusoy tha: "Pas 15 Korrikut, Fondacioni Turk Maarif hapi shkolla që ofrojnë arsim të nivelit të lartë në të gjitha rajonet dhe shpëtoi shumë nxënës nga kurthi i FETO-s. Maqedonia e Veriut është ndër vendet ku vepron Fondacioni Maarif. Për më tepër, me keqardhje vërejmë se FETO vazhdon ta ruajë praninë e saj në Maqedoninë e Veriut dhe, nën petkun e një institucioni arsimor, shfrytëzon emrin e Yahya Kemal, njërit prej poetëve më të rëndësishëm të letërsisë turke."

Ambasadori turk tha se nuk i kanë harruar qytetarët e vendit mik dhe vëllazëror të Maqedonisë së Veriut, të cilët në kohën gjatë dhe pas përpjekjes së popullit turk me puçistët e FETO-s, ishin krah Türkiyes.

"Ne besojmë se anëtarët e FETO-s nuk kanë vend në këtë vend mik dhe vëllazëror. Prania juaj këtu me ne sot e tregon vërtet këtë. Shpresojmë që bashkëpunimi ynë në këtë fushë me mikun dhe aleatin tonë, Maqedoninë e Veriut, do të japë rezultate konkrete. Türkiye do të vazhdojë luftën e saj të vendosur kundër të gjitha organizatave terroriste, përfshirë FETO-n, si brenda ashtu edhe jashtë vendit", theksoi Ulusoy.

Si pjesë e programit, u bënë lutje dhe të ftuarit vizituan ekspozitën për 15 Korrikun, të përgatitur me kontributet e Anadolus dhe Institutit "Yunus Emre" (YEE).

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us