LINDJA E MESME
3 minuta leximi
Ushtria siriane hyn në Suwejda, udhëheqësit fetarë druzë thirrje për dorëzimin e armëve
Një ditë më parë, në përleshjet e armatosura mes luftëtarëve të armatosur të fiseve beduine dhe milicisë druze, më shumë se 30 persona humbën jetën dhe afërsisht 100 u plagosën, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme të Sirisë.
Ushtria siriane hyn në Suwejda, udhëheqësit fetarë druzë thirrje për dorëzimin e armëve
Ushtria siriane hyn në Suwejda, udhëheqësit fetarë druzë thirrje për dorëzimin e armëve / AA
15 Korrik 2025

Ushtria e Ministrisë së Mbrojtjes së Sirisë është dislokuar në hyrje të qytetit Suwejda, në jug të Sirisë. Sipas agjencisë zyrtare siriane të lajmeve SANA, pas tre ditësh përleshjesh, njësitë ushtarake nisën të martën të hyjnë në qytet.

Udhëheqësit fetarë druzë në Siri u bënë thirrje të martën në mëngjes të gjitha fraksioneve të armatosura në provincën Suwejda që të bashkëpunojnë plotësisht me forcat e sigurisë të qeverisë dhe të dorëzojnë armët.

Një ditë më parë, në përleshjet e armatosura mes luftëtarëve të fiseve beduine dhe milicive druze, më shumë se 30 persona humbën jetën, ndërsa rreth 100 të tjerë u plagosën, njoftoi Ministria e Brendshme e Sirisë.

Në deklaratën e udhëheqjes shpirtërore druze u shpreh mbështetje për vendosjen e forcave të sigurisë me qëllim të rimarrjes së kontrollit mbi qendrat ushtarake dhe të sigurisë në Suwejda dhe për stabilizimin e rajonit. Ata bënë thirrje që të gjitha grupet e armatosura të mos kundërshtojnë praninë e forcave qeveritare dhe theksuan rëndësinë e një “dialogu të hapur me qeverinë për të shqyrtuar pasojat e zhvillimeve të fundit”.

Më herët, Ahmed al-Dalati, shefi i sigurisë së brendshme në Suwejda, njoftoi vendosjen e një ndalese qarkullimi në të gjithë provincën duke filluar nga e marta në mëngjes, “deri në një njoftim të dytë”, sipas SANA-s. Al-Dalati sqaroi se ndalesa është vendosur për të ruajtur sigurinë publike.

Ai konfirmoi gjithashtu se forcat e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes kishin nisur hyrjen në qendrën e qytetit Suwejda me qëllim mbrojtjen e civilëve dhe rivendosjen e rendit pas përleshjeve të dhunshme. Ai i bëri thirrje autoriteteve fetare dhe liderëve të fraksioneve të marrin përgjegjësi dhe të bashkëpunojnë plotësisht për të siguruar sigurinë e qendrës së qytetit dhe stabilitetin e të gjithë provincës.

Njëkohësisht, Departamenti i Medias i Ministrisë së Mbrojtjes njoftoi se ushtria vazhdon ndjekjen e grupeve të armatosura të paligjshme përreth Suwejdas. Ministria u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të raportojnë çdo lëvizje të dyshimtë, duke paralajmëruar se grupet e armatosura mund të përdorin lagjet civile si baza për operacionet e tyre.

Më pas, Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se ushtria kishte nisur hyrjen edhe në qendrën e provincës Suwejda me qëllim vendosjen e kontrollit dhe ndjekjen e anëtarëve të grupeve të armatosura që veprojnë jashtë ligjit.

Bashar al-Assad, i cili kishte qeverisur Sirinë për gati 25 vjet, e braktisi vendin në dhjetor dhe u arratis në Rusi, duke i dhënë fund sundimit shumëdekadësh të partisë Baas, që kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.

Në janar, në vend u formua një administratë e re kalimtare, e udhëhequr nga presidenti Ahmad al-Shara.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us