RAJONI
2 minuta leximi
Rritet përdorimi i automjeteve elektrike në Shqipëri
Flota e mjeteve elektrike ka arritur numrin prej 8.701 automjetesh në qershor 2025, që përbën një rritje prej 36% krahasuar me vitin 2024.
Rritet përdorimi i automjeteve elektrike në Shqipëri
Rritet përdorimi i automjeteve elektrike në Shqipëri / AA
16 Korrik 2025

Në gjysmën e parë të këtij viti, Shqipëria ka regjistruar një rritje të ndjeshme të mjeteve elektrike, me një total prej 2.323 automjetesh të regjistruara, duke shënuar një rritje prej 82% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

Referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPShTRr), gjatë periudhës janar-qershor 2025, 25,2 % e mjeteve të regjistruara për herë të parë janë elektrike, një tregues i fuqishëm se përdoruesit po preferojnë gjithnjë e më shumë teknologjinë elektrike.

Flota e mjeteve elektrike ka arritur numrin prej 8.701 automjetesh në qershor 2025, që përbën një rritje prej 36% krahasuar me vitin 2024.

Ndërsa numri i automjeteve hibride gjithashtu ka shënuar rritje. Aktualisht 51% e automjeteve të regjistruara për herë të parë gjatë këtij viti janë me teknologji elektrike apo hibride plug-in.

Në këtë mënyrë është shënuar një ulje e konsiderueshme e emetimeve të CO2, me një reduktim prej 11 milionë kg CO2 në vit.

Përveç kësaj, kjo ka kontribuar në një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së ajrit, me një ulje prej gati 383 metra kub të ndotësve atmosferikë, që është një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së mjedisit.

Sipas DPShTRr-së, 74% e veturave të regjistruara gjatë periudhës janar-qershor 2025 janë Euro 5 ose standarde më të avancuara, duke treguar një progres të konsiderueshëm në përdorimin e automjeteve më ekologjike dhe më të pastra.


Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us