Ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), do të mbahet ditën e sotme në Tiranë.
Ministria e Evropës dhe e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, përmes një njoftimi nga dita e djeshme, bën me dije se si është planifikuar paraprakisht agjenda e SEECP.
Kryediplomati shqiptar Igli Hasani do të mbajë fjalën hyrëse në këtë ministerial.
Kryetarët e shteteve dhe delegacionet e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) do të priten nga Presidenti Bajram Begaj.
“Nxitja e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE” është tema e këtij sesioni plenar që do të hapet nga Presidenti Begaj në cilësinë e Kryetarit në detyrë të Samitit të SEECP.
Presidenti Begaj në mbyllje të samitit do t’i kalojë homologut të tij bullgar, Presidentit Radev Kryesinë e radhës të SEECP-së.
Veç mikpritjes së samitit, Presidenti Begaj pritet të zhvillojë takime të veçanta me homologë e liderë pjesëmarrës të procesit të SEECP-së për të thelluar më tej bashkëpunimin e Shqipërisë me këto vende.
Policia e Tiranës ka njoftuar për bllokime dhe kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore, përkatësisht në itineraret e ardhjes dhe largimit të delegacioneve.
SEECP përbëhet nga 13 vende pjesëmarrëse, të cilat janë edhe anëtare të Bordit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), si: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Kosova dhe Türkiye.
Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore është një forum i rëndësishëm politik që synon dialogun dhe bashkëpunimin në Evropën Juglindore, i cili përmbyll një vit të suksesshëm të Presidencës Shqiptare nën moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”.
Tirana mori Kryesimin e SEECP-së për periudhën Korrik 2024 – Qershor 2025, pas Kryesimit të mbajtur më parë nga Shkupi, dhe do t’i pasohet në vijim Sofjes.
Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore u iniciua në vitin 1996 gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Sofje, ndërsa Samiti i parë i SEECP-së u zhvillua në Kretë në vitin 1997.