Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi të dielën se Irani është i gatshëm t'i ndalojë sulmet ndaj Izraelit nëse Tel Avivi ndalon ofensivën ndaj Teheranit.
Duke folur para ambasadorëve të huaj në Teheran, Araghchi theksoi se lufta i është imponuar Iranit dhe se Teherani nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të përgjigjej.
“Mbrojtja jonë është plotësisht legjitime dhe do të zbatohet me vendosmëri, vetëm si përgjigje ndaj agresionit. Nëse ndalojnë sulmet, do të ndalojnë edhe kundërpërgjigjet iraniane,” tha ai.
Tensionet midis Iranit dhe Izraelit u rritën ndjeshëm pas sulmeve ajrore të koordinuara nga Izraeli në disa lokacione në Teheran, përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, të premten, gjë që çoi në sulme hakmarrëse nga Irani disa orë më vonë.
Të shtunën në mbrëmje, Irani nisi valën e dytë të operacionit të quajtur “Premtimi i Vërtetë III”, e cila ishte e fokusuar kryesisht në objektiva ekonomikë dhe industrialë në qytetin port izraelit Haifa. Paralelisht, sulmet izraelite goditën Ministrinë e Mbrojtjes dhe depozitat e naftës në Teheran.
Irani bëri të ditur se 78 persona u vranë ditën e parë të sulmit izraelit, ndërsa dhjetëra të tjerë, përfshirë fëmijë, humbën jetën ditën e dytë.
Kjo valë dhune çoi në pezullimin e bisedimeve bërthamore jo të drejtpërdrejta midis Iranit dhe ShBA-së, të ndërmjetësuara nga Omani. Raundi i gjashtë i bisedimeve ishte planifikuar të mbahej të dielën në Muskat.
Araghchi tha se “agresioni” izraelit nuk do të ishte i mundur pa koordinimin dhe mbështetjen e ShBA-së, duke e përmendur këtë si arsye kryesore për ndërprerjen e bisedimeve.
Ai deklaroi se Irani ka prova të forta dhe bindëse që forcat amerikane dhe bazat ushtarake në rajon dhanë mbështetje për sulmet izraelite.
Ministri iranian përmendi edhe deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte thënë se sulmet “nuk do të mund të ndodhnin pa pajisjet amerikane” dhe kishte lënë të kuptohet për “faza të mëtejshme”, si dëshmi shtesë të përfshirjes së ShBA-së.
Lidhur me mohimin nga ana e ShBA-së për përfshirje në sulmin izraelit ndaj objektit bërthamor të Natanzit në provincën Isfahan, Araghchi tha se Irani nuk e pranon mohimin për shkak të provave kontradiktore.