Italia po shqyrton mundësinë për të shmangur blerjet direkte të armëve amerikane për të mbështetur Ukrainën, pavarësisht presionit amerikan ndaj vendeve evropiane për të blerë armët e saj, raportuan të mërkurën mediat italiane.
Ndërsa Gjermania po i nxit aleatët evropianë të ndajnë fonde për të blerë armë amerikane për të mbështetur Ukrainën, siç është propozuar nga ShBA-ja, Italia raportohet se po kërkon rrugë të tjera.
Vendimi i Italisë lidhet kryesisht me faktin se, ndryshe nga Gjermania, hapësira e saj fiskale për të ndarë fonde të tilla është "praktikisht e paekzistentë", thanë burime për gazetën La Stampa.
Një arsye tjetër është se sistemet e armëve tashmë të ofruara Ukrainës bazohen në konfigurime teknologjike të ndryshme.
Të njëjtat burime thanë se e vetmja blerje e armëve amerikane e planifikuar nga Italia është një grup i mëhershëm avionësh F-35 për dekadën e ardhshme.
Sipas gazetës, ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto gjithashtu tha se ata nuk kanë diskutuar asnjë blerje shtesë të armëve amerikane.
Gazeta, megjithatë, theksoi se Italia nuk po distancohet as nga ShBA-ja dhe as nga mbështetja për Ukrainën, por thjesht po eksploron mënyra alternative për t’u përshtatur me Trumpin.
Në një takim të së hënës me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Zyrën Ovale, Trump shprehu zhgënjimin e tij ndaj Rusisë për mungesën e përparimit në përpjekjet për paqe në Ukrainë.
Trump kërcënoi me vendosjen e tarifave dytësore 100 për qind ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një marrëveshje paqeje brenda 50 ditësh. Ai gjithashtu njoftoi një marrëveshje të re, sipas së cilës ShBA-ja do të prodhojë dhe furnizojë armë për Ukrainën përmes NATO-s, me vendet evropiane që do të mbulojnë të gjitha kostot.