Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, festën që përkujton sakrificën e profetit Ibrahim (a.s.), një nga aktet më të larta të besimit.
Në mbarë rajonin, myslimanët e kanë nisur kremtimin që në orët e para të mëngjesit, duke u drejtuar xhamive për të falur namazin e Bajramit dhe për të shënuar këtë ditë të shenjtë me lutje e devotshmëri.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale përcolli urimet për besimtarët myslimanë.
“Kurban Bajrami është dita në të cilën besimtarët myslimanë afrohen më pranë Zotit, është festa e ngadhënjimit të sakrificës së sinqertë dhe besimit në Zot”, shkroi Kreu i shtetit shqiptar.
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj uroi besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët për më shumë mirësi dhe gëzime në familjet e tyre.
Begaj tha se Kurban Bajrami është dëshmi e pashtershme sesi sakrifica, durimi dhe dashuria i japin njerëzve paqen e tyre të brendshme dhe mposhtin egoizmin, urrejtjen dhe pangopësinë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka përcjelll urimet e tij duke përkujtuar se sa e rëndësishme është të japim e të ndajmë me njëri-tjetrin, në harmoni e me dashuri.
“Uroj që kjo ditë t'ua gjejë zemrat e tryezat të mbushura përplot, dhe paçi mbarësi e mirësi, shëndet e lumturi sot e mot”, uroi kryeministri kosovar.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Festën e Bajramit të Vogël, i njohur si Kurban Bajrami.
“Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore dhe për forcimin e lidhjeve, dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet nesh. Në këtë ditë të veçantë, uroj që në secilën shtëpi të mbizotërojë gëzimi, shëndeti dhe dashuria. Qoftë kjo festë një burim frymëzimi për një të ardhme më të ndritur, me më shumë dhembshuri, mirësi dhe respekt të ndërsjellë”, thuhet në mesazhin e urimit të presidentes Osmani.
Edhe Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar besimtarët me rastin e Kurban Bajramit, duke theksuar se kjo festë, e cila ka në thelb sakrificën për vlerat më të larta, na kujton rëndësinë e solidaritetit, mirëkuptimit dhe dashurisë për njëri-tjetrin.
“Kjo ditë e shenjtë është një moment reflektimi për vlerat që na bashkojnë si shoqëri: përkujdesjen ndaj familjes, respektin për më të moshuarit, kujdesin për më të pambrojturit dhe forcimin e lidhjeve njerëzore që e mbajnë gjallë shpirtin e njerëzisë dhe shoqërisë sonë”, shkruan Kryetari i Kuvendit.
Kurban Bajrami është një nga festat më të rëndësishme në Islam, që simbolizon ndër të tjera, sakrificën e lartë të profetit Ibrahim (a.s.), babait të profetëve.
Kjo festë lidhet me ngjarje të mëdha që kanë lënë gjurmë në historinë e besimit islam, si rindërtimi i Qabes, haxhi, dhe vetë emërtimi “mysliman”.
Therja e kurbanit përfaqëson materializimin e nijetit dhe gatishmërisë për të flijuar në emër të Allahut.
Përveç aspektit të thellë shpirtëror, kurbani mbart edhe një dimension të rëndësishëm shoqëror, ndarjen dhe ndihmën për ata që janë në nevojë, në mënyrë që të gjithë, pa përjashtim, të mund të përjetojnë gëzimin e kësaj feste të madhe.