Tirana është kthyer në qendër të dialogut ndërkombëtar për arkitekturën, urbanistikën dhe vizionin e së ardhmes për qytetet, përmes festivalit “Bukë dhe Zemër” (Bread & Heart Festival), ku marrin pjesë mbi 150 arkitektë të njohur nga Europa, Azia, Amerika Veriore dhe Jugore.
E cilësuar si një ngjarje e re europiane, festivali mbledh bashkë arkitektë që punojnë në Shqipëri, partnerët e tyre vendas dhe të ftuar nga fusha të ndryshme të jetës.
Ky festival synon shkëmbimin e eksperiencave dhe ideve për zhvillimin urban e social, si dhe formulimin e politikave që ndikojnë në transformimin e vendit dhe rajonit të Ballkanit në përputhje me frymën europiane.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në fjalën e tij gjatë hapjes së festivalit, u shpreh se kjo ngjarje pozicionon Shqipërinë në një hartë të re prestigjioze të Europës. Ai shprehu besimin se “Bread & Heart” Festival do të kthehet në një ngjarje globale prestigjoze me arkitekturën në thelb, por me një perimetër gjithnjë e më të gjerë disiplinash të përfshira në debat.
Rama tha se “të gjithë e dimë se Shqipëria nuk është një vend që tërheq arkitektët më vizionarë të botës me para apo me shkëlqime, por i tërheq me një gjë shumë më të vështirë për t’u përkufizuar, por të pamundur për t’u falsifikuar”.
“I tërheq me besimin e përbashkët në realitetin e një ëndrre dhe besimin që mund të mbartet jo vetëm këtu, por sidomos këtu. Diçka plot jetë, e papërsëritshme, diçka ende e lirë në mënyrë të pabesueshme. I lirë nga konforti i rregulloreve që nuk mbysin”, shtoi Rama.
Duke theksuar që festivali zhvillohet në një ditë të shenjtë siç është Kurban Bajrami, Rama e quajti këtë ngjarje “një Bajram shpirti”.
“Është një akt i hedhjes së hapave përpara, jo për të dominuar tokën, por për ta dëgjuar. Jo për t’u imponuar, por për të përfytyruar së bashku. Jo për të sakrifikuar një vizion për një tjetër, por për t’i lënë egot tona që diçka e përbashkët, diçka më e madhe të lindë në vend të tyre”, deklaroi kreu i shtetit shqiptar.