Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, deklaroi të premten se non-pejperi i Komisionit Evropian është një paralajmërim i rëndësishëm, të cilin qeveria duhet ta marrë seriozisht dhe të ndryshojë praktikën që, siç tha ai, është ekspozuar në mënyrë shumë të argumentuar dhe që lidhet me segmente të caktuara nga kapitujt 23 dhe 24.
Sipas tij, non-pejperi i Komisionit Evropian, që ka të bëjë me përparimin e Malit të Zi në fushën e sundimit të ligjit, është një paralajmërim i rëndësishëm që vjen nga Bashkimi Evropian (BE) në një moment kyç të procesit të integrimit evropian të vendit.
“Do të doja që, para së gjithash, qeveria ta marrë këtë paralajmërim shumë seriozisht dhe të ndryshojë praktikën që është argumentuar në atë non-pejper dhe që ka të bëjë me segmente të caktuara të kapitujve 23 dhe 24,” theksoi Milatoviq, duke iu përgjigjur një pyetjeje në konferencën për media në Cetinje pas vizitës zyrtare të presidentit të Estonisë, Alar Karis.
Komisioni Evropian i paraqiti vendeve anëtare të BE-së një dokument joformal (non-paper) që lidhet me përparimin e Malit të Zi në sundimin e ligjit, konkretisht në kapitujt 23 dhe 24. Në dokumentin të cilin e ka parë korrespondenti i RTCG nga Brukseli, theksohet se pas një faze intensive reformash në vitin 2024, ligjet kryesore që garantojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit gjyqësor janë tani kryesisht në përputhje me standardet evropiane.
Presidenti i Estonisë, Alar Karis, tha se edhe nga vetë populli i Malit të Zi varet se sa do të përparojë vendi në rrugën drejt BE-së, sepse, theksoi ai, ky është një proces që bazohet në merita.
“Kjo vlen edhe për të gjitha vendet e tjera. Është një punë shumë e vështirë që duhet të kryhet,” nënvizoi Karis.
Ai kujtoi se Estonisë i është dashur më shumë se dhjetë vjet për t’u anëtarësuar në BE.