Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, të premten dënoi “deklaratat cinike” të presidentit rus Vladimir Putin, të cilat, sipas tij, tregojnë përbuzje ndaj përpjekjeve ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Sybiha reagoi ndaj deklaratës së Putinit gjatë Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, ku ai kishte thënë: “Kudo që shkel një ushtar rus, është tokë e jona.”
Sybiha tha se trupat ruse sjellin vetëm “vdekje, shkatërrim dhe rrënim” kudo që shkojnë.
Ai akuzoi presidentin rus se po sakrifikon popullin e vet në këtë luftë.
“Ai tashmë ka flijuar një milion ushtarë rusë në një përgjakje të pakuptimtë në Ukrainë, pa arritur asnjë objektiv strategjik. Një milion ushtarë. Dy milionë këmbë.”
“E vetmja mënyrë për ta detyruar Rusinë drejt paqes është që asaj t’i hiqet ndjenja e pandëshkueshmërisë,” shkroi Sybiha në platformën X.
Ai u bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të shtojë ndihmën ushtarake për Ukrainën, të vendosë sanksione shkatërruese dhe të izolojë diplomatikisht Moskën.