Pas tërmetit të fuqishëm që goditi Istanbulin të mërkurën, disa banorë kaluan natën në salla sportive, xhami dhe parqe publike, në kërkim të një ambienti më të sigurt.
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6,2 goditi Istanbulin të mërkurën, me ç’rast 236 persona u lënduan në incidente të shkaktuara nga paniku, njoftuan autoritetet.
Tërmeti ndodhi me epiqendër në rrethin Silivri, ndërsa u pasua nga disa dridhje të tjera në shkallë më të vogël.
Ministri i Mjedisit, Urbanizmit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum, njoftoi se janë pranuar 378 raportime për dëme strukturore, duke shtuar se nëntë prej shtëpive janë klasifikuar si të nevojshme për evakuim.
Drejtoria e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) njoftoi se sipas vlerësimit të raporteve të pranuara nga Qendra e Thirrjeve Emergjente 112, nuk është regjistruar asnjë viktimë ose shkatërrim si pasojë e tërmetit.
Drejtoria tha se të gjitha institucionet përkatëse dhe ekipet e reagimit janë mobilizuar dhe se inspektimet në terren janë duke vazhduar për të vlerësuar dëmet e mundshme dhe për të garantuar sigurinë publike.